Dhunë në familje në ‘Muharrem Fejza’/ 55-vjeçari i dehur gjuan me thikë gruan e vajzën

  • E /
  • 06 June 2022 - 09:20
Dhunë në familje në ‘Muharrem Fejza’/ 55-vjeçari i dehur gjuan me thikë gruan e vajzën

Çdo ditë në Kosovë raportohen numër i madh i rasteve të dhunës në familje, ku zakonisht viktima janë gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes.

E një rast i tillë është raportuar të premten, ku nënë e vajzë kanë denoncuar në Polici bashkëshortin, respektivisht babain e tyre për dhunë në familje.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në fund të muajit maj, ku 55-vjeçari i dyshuar kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur.

Fillimisht ai kishte ofenduar me fjalë të rënda bashkëshorten dhe vajzën e tij, por që më pas gjithçka kishte eskaluar, pasi që i njëjti ka tentuar t’i godas me thikë që të dyja.

Për fatin e mirë të të dyjave, gjithçka përfundoi pa pasoja, pasi që asnjëra nga to nuk u lëndua.

Por kjo nuk i ndaloi ato që rastin ta denoncojnë në Polici, me ç’rast palët e përfshira janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me vendim të prokurorit, ndaj 55-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërsa viktimat janë udhëzuar që të pajisen me urdhërmbrojtës nga Gjykata kompetente.

(Kosova Sot Online)