Ish-Kryeministri Hoti: Ballkani i Hapur është iniciativë e përkohshme, me këto kushte mund të marrim pjesë

  • E. /
  • 09 June 2022 - 11:41
Ish-Kryeministri Hoti: Ballkani i Hapur është iniciativë e përkohshme, me këto kushte mund të marrim pjesë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, por vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se gjatë takimit në Washington më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ka pranuar kërkesën e SHBA-së që të hyjnë në “Ballkanin e Hapur” pasi kanë marrë garancinë e tyre se pjesëmarrja do të jetë mbi baza të barabarta dhe të marrin të gjitha vendet.

Sipas tij, këto dy parime, nënkuptojnë që Serbia detyrohet ta njohë subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe se nuk mund të dominojë tregun rajonal.

“Këto dy parime, si dhe faktin se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikan. Në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta. Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë”, ka shkruar Hoti.

Ai tha që çdo nismë rajonale është e përkohshme, sepse orientimi i Kosovës është integrimi në BE.

Sidoqoftë, çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi ynë është integrimi në BE. Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)