Ikja e “Sunny Hill”, kosovarët kanë edhe dy festivale jashtë territorit të tyre

  • E /
  • 15 June 2022 - 14:17
Ikja e “Sunny Hill”, kosovarët kanë edhe dy festivale jashtë territorit të tyre

Festivali “Sunny Hill” , i cili për dy sezone mblodhi në Parkun e Gërmisë në Prishtinë mijëra njerëz dhe artistë të ndryshëm me famë në mbarë botën, sivjet nuk do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës. Ky festival që organizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Tiranë. Por kosovarët, si organizatorë të suksesshëm të festivaleve, i organizojnë edhe dy festivale tjera jashtë territorit të Kosovës, Mayfest në Ulqin dhe UNUM në Shëngjin.

Aktualisht, kjo është tema më e diskutuar në orët e fundit nëpër rrjete sociale e media, pasi lidhur me zhvendosjen e vendit të festivalit kanë reaguar politikanë të ndryshëm

Organizatorët u tërhoqën pasi u shprehën të dëshpëruar me zvarritjet e procesit të marrjes së një toke prej 17 hektarësh për shfrytëzim lidhur me këtë ngjarje.

Paraprakisht, Komuna e Prishtinës u pajtua t’ia japë “Sunny Hill” tokën prej 17 hektarësh në Bërnicë të Prishtinës, por çështja ngeci në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila duhej ta vlerësonte ligjshmërinë e kontratës.

Organizatori dhe themelues i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa publikoi në rrjetin social Facebook një letër të cilën tha se ia kishte dërguar Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Ministrave Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku, kryediplomates Donika Gërvalla – Schëarz dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, thuhet në krye të letrës së Lipës.

Tashmë, “Sunny Hill Festival” i bashkohet festivaleve tjera si “MayFest” e “UNUM” të cilët organizohen nga qytetarët e Kosovës në vende tjera si, “MayFest” në Ulqin e “UNUM” në Shëngjin.

Në letrën e dërguar nga organizatori, thuhej se ky festival ka krijuar publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën, ndërsa vetëm nga edicioni i fundit që është mbajtur në vitin 2019-të është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit dhe ka sjell deri në 10 milionë euro për ekonomin e qytetit.

“Sunny Hill Festival”

“Sunny Hill Festival” ka sjell artistët më të mëdhenj të muzikës botërore në vendin tonë, teksa për herë të parë filloi të mbahej në Parkun e Gërmisë në vitin 2018 prej datës 10 deri më 12 gusht, gjatë këtij sezoni përformuan krahas Dua Lipës emrat e njohur si: Grace Carter, Sam Leëis, Stanaj, Action Bronson, Dua Lipa, Martin Garrix, G4SHI dhe artistë tjerë nga Kosova e Shqipëria.

Në edicionin e dytë e që ishte i fundit në këto 3 vite pasi përshkak të masave parandaluese të pandemisë së COVID-19 përgjatë vitit 2020 dhe 2021 nuk mundi që të organizohej.

Në 2019, festivali u mbajt njësoi si herën e parë pra 3 ditë vetëm se datat tashmë kishin ndryshuar në 2,3 dhe 4 gusht. Ndërsa përformuan: Calvin Harris, Klangkarusell, G4SHI, Merk & Kremont, Bondax, Miley Cyrus, Tchako, Meduza, Barny Fletcher dhe artistët më të njohur shqiptarë.

Ndryshe, këtë vit ishte paralajmëruar se do të ndryshonte lokacioni nga Parku i Gërmisë për në Bernicë, e që nuk ndodhi ashtu por u ndryshua për më larg – pra në Tiranë.

Pra, një festival i cili mblodhi mijëra qytetarë në vendin tonë dhe solli emrat më të njohur të muzikës tashmë do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ky festival për dy sezone të mbajtura ka zënë vend në mediat më prestigjioze si “The Guardian”, “New York Times”, “MTV” dhe në shumë media tjera të huaja.

“UNUM Festival”

“UNUM Festival” para pak javë ka mbyllur sezonin e tretë në plazhin e Shëngjinit. Fillimisht, ky festival filloi të mbahej në vitin 2019-të, për tri ditë. Ndërsa në vitin 2020-të ky festival nuk arriti të mbahej përshkak të pandemisë së COVID-19, por që për dallim nga Sunny Hill në 2021-tën sipas rregullave antiCOVID, festivali u mbajt për 5 ditë me radhë që nga data 3 qershori deri më 7.

Slogani i këtij festivali është për unitet të natyrës, njerëzve, artëve dhe muzikës, teksa ata shoqërohen përgjatë këtyre ditëve të festivalit 24 orë me muzikë elektronike.

Po ashtu, organizatorët sollën në trojet shqiptare artistët më të njohur të muzikës elektronike, ndërsa këtë vit u mbajt për 6 ditë më radhë, ku në këtë festival morën pjesë biznese të shumta nga Kosova.

Ndërsa, të shumtë janë edhe ndjekësit nga e gjithë bota që vijnë për të shijuar netët e këtij festivali, vetëm këtë edicion të fundit që u mbajt para pak javësh nga data 1 qershor deri më 6, arriti që t’i shes të gjithë biletat dhe të grumbulloj 18 mijë pjesëmarrës.

Festivali ka tri skena: Beach Stage (Skena në plazh), deri në perëndimin e diellit, the Main Stage (skena kryesore), e cila shkon nga perëndimi i diellit deri në agim, dhe Into the Pines Stage (skena në pisha), e cila shkon 24 orë në ditë me muzikë, pa ndalë asnjëherë që nga dita e parë, ku performojnë emra të njohur botëror, artistë rajonalë dhe një mix i stileve muzikore alternative dhe eksperimentale, të gjitha nën hijen e pishës që mbushin ajrin me aromën e tyre.

Për këtë festival kishte shkruar edhe prestigjiozja britanike “The Guardian” e cila e kishte cilësuar si një ndër 20 festivalet më të mira në Evropë për vitin 2019.

“Festivali i Kënaqësisë – MayFest”

Festivali i Kënaqësisë apo ndryshe “Bamboo May Fest” është festival i cili këtë vit mbajti edicionin e 13-të në Ulqin të Malit të Zi. Pjesëmarrësit në këtë festival kryesisht janë nga qytetet e Kosovës, teksa performojne artistë të ndryshëm vendor e të huaj. 

Pra të gjitha këto festivale kanë organizatoret nga Kosova, por siç duket më të lehtë e kanë mënyrën e organizimit në shtetet tjera si Mali i Zi e Shqipëri se sa në vendin tonë.

(Kosova Sot Online)