Vladimir Putin s’e heq Kosovën nga goja, ja për çfarë e përmend këtë herë

  • 18 June 2022 - 08:21
Vladimir Putin s’e heq Kosovën nga goja, ja për çfarë e përmend këtë herë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përsëritur se Rusia ka të drejtë të njohë si të pavarura republikat e vetëshpallura në Donbas të Ukrainës, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas tij, duke e marrë sërish si shembull “vënien e precedentit” në rastin e Kosovës. Ai gjatë fjalimit në “Forumin Ekonomik Ndërkombëtar” në St. Petersburg ka përsëritur deklaratat që pati dhënë disa ditë pasi Rusia njohu si të pavarura dy republikat në Ukrainë.

“Kur Kosova u pavarësua, nën presionin e shteteve ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se nuk është shkel ligji ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara. Do të thotë se nuk duhet të pyetet qeveria qendrore për tu pavarësua. Ky ishte një precedent”, ka deklaruar Putin.

Ai ka thënë se kjo nënkupton që dy rajonet Donbas, Luhansku dhe Donetsku, s’kanë nevojë të marrin leje prej Kievit. Këto dy rajone shpallën pavarësinë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

“Ato shpallën pavarësinë. A kemi të drejtë t’i njohim? Sigurisht që po”, ka thënë Putin,

Putini po ashtu theksoi se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, “Perëndimi iu kthye ndarjes së Kosovës nga Serbia”.

Sipas tij, vendet perëndimore nisën luftëra në shkallë të gjerë, duke përfshirë Irakun, Libinë e Afganistan.

“Por puna është se situata të tilla u zhvilluan siç donin ata, dhe jo siç do të duhej. Në shumë raste, le të themi për shembull në Jugosllavi – shteti u copëtua. Pas BRSS-së dolën vende tjera dhe interesa të reja shpërthyen. Kishte kontradikta të brendshme dhe ata i nxitën. Pastaj filluan ta shkëpusin Kosovën nga Serbia. S’është e qartë pse”, ka thënë Putin.

Ndryshe, Putin ka fajësuar shtetet perëndimore për krizën botërore ekonomike në botë.Presidenti rus gjithashtu ka arsyetuar pushtimin e Ukrainës me “de-nazifikimin” e Ukrainës.

(Kosova Sot Online )