Osmani shefave të BE’së : Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë, hiqni ato

  • E. /
  • 23 June 2022 - 12:56
Osmani shefave të BE’së : Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë, hiqni ato

Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë publik fjalimin e saj në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel.

Kryefjalë e fjalimit të saj ka qenë liberalizimi i vizave.

Osmani ka deklaruar se populli i Kosovës ndihen të diskriminuar në kontinentin ku jetojnë dhe se ajo është e vetmja në tryezë që i duhet të marrë vizë për të arritur në takim.

“Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, ka thënë Osmani.

Fjalimi i plotë i presidentes Osmani:

Fjalimi im i plotë në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor:

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Të dashur kolegë,

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj.  Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike.  Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Ju faleminderit!

(Kosova Sot Online)