Arabia Saudite me vendim te ri per haxhin, a preket edhe Kosova?

  • E. /
  • 27 June 2022 - 11:18
Arabia Saudite me vendim te ri per haxhin, a preket edhe Kosova?

Arabia Saudite u thotë pelegrinëve ta përdorin sistemin e ri online dhe të kërkojnë rimbursime nga çdo agjenci që e kanë paguar tashmë.

Kompanitë myslimane të udhëtimit në Britani kanë thënë se po përmballen me mbylljen e bizneseve të tyre, me udhëtarët që mund t’i humbin mijëra funte pasi Arabia Saudite e ka lansuar një sistem të ri për aplikim për pelegrinazhin e haxhit.

Qeveria saudite ka njoftuar këtë muaj se pelegrinët nga Europa, SHBA-ja dhe Australia nuk mund të rezervojnë më përmes agjencive të udhëtimit dhe në vend të kësaj do të duhej të aplikojnë përmes një sistemi me përzgjedhje rastësore, raporton The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Kuota e reduktuar në mënyrë drastike do t’i lejojë disa mijëra muslimanë britanikë ta kryejnë haxhin këtë vit, me Ministrinë e Haxhit dhe Umres që i këshillon ata me rezervime aktuale që të “kërkojnë rimbursime nga operatorët/agjentët turistikë”.

Por kompanitë e udhëtimit thanë se ndryshimi i papritur – i shpallur nga Arabia Saudite në një lëvizje për t’i goditur firmat mashtruese javë përpara fillimit të pelegrinazhit në Mekë nga 7 deri më 12 korrik – mund t’i fundosë ato.

Haxhi, një obligim për muslimanët e aftë për punë, është një nga pelegrinazhet më të mëdha fetare në botë dhe zakonisht mbledh rreth 2 milionë njerëz në vit. Këshilli i bamirësisë britanike të Haxhit vlerëson se sektori i haxhit në Mbretërinë e Bashkuar vlen rreth 200 milion £.

Prej vitit 2006 ka qenë i detyrueshëm rezervimi i haxhit përmes kompanive të licencuara të udhëtimit. Pelegrinëve të mundshëm tani u kërkohet të rezervojnë përmes një portali online, Motawif, me aplikantët që do të përzgjidhen në mënyrë rastësore nga një sistem i automatizuar. Më pas ata mund ta rezervojnë akomodimin dhe transportin direkt përmes faqes së internetit. Të gjithë udhëtarët duhet të jenë nën 65 vjeç dhe të vaksinuar kundër koronavirusit.

“Ne ishim gati plotësisht të rezervuar. Por ne rimbursuam shumicën e klientëve tanë. Ne humbëm paratë tona në Arabinë Saudite, të paktën rreth 35,000 £. Ka shumë pak shpresa për ta kthyer ato”, tha Ilyas Master, 56 vjeç, i cili për 15 vjeti ka ofruar rezervime për haxhin dhe pelegrinazhin më të shkurtër të umres përmes agjencisë së tij të udhëtimit të regjistruar në Atol në Bradford.

Master tha se ai tani po sheh për mënyra alternative të të ardhurave, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve të vizave, duke shtuar: “Nëse nuk mund të vazhdojmë, do të na detyrojë të mbyllemi.”

Udhëtarët kanë raportuar probleme me portalin e ri online. Amal Ullah, nga Nottinghami, shpenzoi më shumë se 10 vjet kursime kur pagoi 40,000 £ për një ofertë haxhi për familjen e saj përmes Motawifit. Ajo tha: “Kam kontrolluar portalin dhe aty tha se rezervimi kishte dështuar”, pavarësisht se thotë se kishte marrë një email zyrtar që konfirmonte se ajo dhe disa anëtarë të familjes ishin përzgjedhur dhe vizat e tyre ishin në përpunim.

Disa aplikantë për haxh kanë ndarë zhgënjimet e tyre në Twitter duke përdorur hashtag #paidbutfailed. Llogaria në Twitter e Motawif thotë se çmimet e ofertave janë mesatarisht 35% më pak se tarifat e tregut. Por Ullah tha se oferta që ajo e mori u rrit afër 10,000 £ për person, me hotele rreth dy milje nga vendet kryesore fetare.

Në vitin 2020 pati një ulje të paprecedentë të pelegrinëve të haxhit (në rreth 10,000 njerëz) për shkak të pandemisë. Haxhi i vitit të kaluar ishte i kufizuar në 60,000 njerëz të vaksinuar, të moshës 18 deri në 65 vjeç, nga Arabia Saudite, me pelegrinët jashtë shtetit që s’u lejuan. Para pandemisë, rreth 25,000 britanikë bënin pelegrinazh çdo vit.

Personave që kanë rezervuar me kompani turistike të mbrojtura nga Licenca e Organizatorit të Udhëtimeve Ajrore (Atol) duhet t’u jepet një rimbursim. Por shumë kompani britanike myslimane të udhëtimit që morën depozita për fluturimet në 2020 dhe shtynë ofertat e haxhit për këtë vit për shkak të pandemisë Covid, janë lënë në harresë financiare.

“Këto biznese ndoshta kanë ende dhjetëra miliona paund të ngecur në Arabinë Saudite”, tha Seán McLoughlin, një profesor në Universitetin e Leedsit, i cili intervistoi kompanitë e udhëtimeve të haxhit dhe umres për raportin e parë të pavarur në industrinë e haxhit në Mbretërinë e Bashkuar, të botuar në 2019.

Qeveria saudite tha se ndryshimi ishte pjesë e përpjekjeve për t’i goditur agjencitë mashtruese të udhëtimit. Procesi i aplikimit për haxh gjithashtu do të thjeshtohet përmes shërbimeve të vizave elektronike. Është e paqartë nëse sistemi do të përdoret gjithashtu vitin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)