Ekspertë ushtarakë drejt Bosnjës: S’lejojmë që Ballkani të bëhet shesh loje i Putinit

  • E /
  • 30 June 2022 - 11:55
Ekspertë ushtarakë drejt Bosnjës: S’lejojmë që Ballkani të bëhet shesh loje i Putinit

Britania e Madhe do të dërgojë ekspertë ushtarakë në Bosnje e Hercegovinë për të luftuar influencën e Rusisë. Kështu ka bërë të ditur kryeministri britanik, Boris Johnson, duke thënë se s’mund të lejohet që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një tjetër shesh loje për Vladimir Putinin.

“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet tjetër shesh loje për ambiciet e dëmshme të Vladimir Putinit”, ka thënë Johnson, raporton Reuters.

Ai tutje ka thënë se Putin duke ndezur flakët e ndarjes dhe sektarizmit, po kërkon që të shkatërrojë arritjet 30 vjeçare në Bosnje e Hercegovinë.

Johnson tutje ka thënë se kjo është arsyeja se pse Britania e Madhe po e mbështet Bosnje e Hercegovinën, siç thotë ai në përgjigje të thirrjes së Bosnjës për ndihmë dhe mbrojtje

 “Kjo është arsyeja pse ne po rrisim mbështetjen për Bosnje dhe Hercegovinën, duke iu përgjigjur thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes që me të drejtë meritojnë të gëzojnë.”, ka thënë Johsnon.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, dy ekspertë për luftën kundër dezinformimit dhe reformën e mbrojtjes, do të punojnë me Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës dhe NATO-n, për të ruajtur paqen dhe sigurinë në këtë vend.

Britania do të sigurojë, po ashtu, fonde për rritjen e sigurisë kibernetike atje.

“Bosnje dhe Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial prej pas luftës dhe liderët secesionistë po punojnë në mënyrë aktive për të krijuar ndarje dhe konflikte të mëtejme. Këto plane mbështeten nga Moska”, thuhet në deklaratën e Qeverisë britanike.

Shqetësimet e Perëndimit për Bosnje-Hercegovinën janë rritur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka qëndruar në Sarajevë më 26 maj, ku ka premtuar se vendi i saj do të ndihmojë në trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.

(Kosova Sot Online)