Rrebeshe shiu dhe rënie temperaturash, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme
Prishtina Weather ka njoftuar se sot do të mbajë mot më i nxehtë dhe krysisht me diell. Ndërkohë, nesër priten riga lokale shiu në mëngjes dhe ulje e temperaturave.
Me mot të nxehtë dhe kryesisht me diell parashihet dita e shtunë. Më vonë në mbrëmje, me afrimin e një fronti të ftohtë paraqiten kushte për rrebeshe me bubullima kryesisht nga perëndimi dhe veriu i vendit. Reshje lokale shiu shtrihen mëngjesin e së dieles edhe në pjesë tjera të vendit, të shoqëruara edhe me bubullima. Depërtimi i masave më të ftohta ajrore edhe sjell mot paksa më të freskët ditën e diel.
Ditëve të para të gushtit do të mbajë mot më stabil me më shumë intervale me diell, dhe jo aq i nxehtë.
Koncentrimi i ozonit sipërfaqësor ditën e nesërme do të jetë në vlera më të rritura, që edhe çon indeksin në vlera të dobëta, e nga dita e diel do të ketë më shumë vransira dhe qarkullim më të mirë ajror, që mban indeksin e cilësisë së ajrit kryesisht në vlera të pranueshme dhe të mira.
Nën kushte të kthjellimeve nivelet e rrezikut nga rrezet ultravjollce mbeten shumë të larta, ndaj orëve të mesditës rekomandohet t’i ikim ekspozimit më të gjatë ndaj rrezeve të diellit.
30.07 – Nxehtë e kryesisht me diell. Në mbrëmje në veri e perëndim të vendit mundësi për rrebeshe me bubullima.
31.07 – Më freskët e me erë. Herët në mëngjes vransira dhe reshje të dobëta shiu, të shoqëruara edhe me bubullima. Ditën vransira e intervale me diell, aty këtu me riga lokale shiu, e deri në mbrëmje vransirat shpërndahen.
1.08 – Kryesisht me diell dhe jo aq nxehtë.
2.08 – Kryesisht me diell, pasdite vransira kalimtare.
3.08 – Kryesisht me diell, më nxehtë.
Temperaturat pësojnë rënie në të dy vlerat ekstreme. Minimalet zbresin edhe deri në 14C të hënën. Maksimalet nga 34C, të shtunën, zbresin në 27C, ditën e diel. Më pas luhaten përreth vlerave mesatare ndërmjet 28C e 30C.
Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, lehtë dhe mesatarisht të fuqishme 5-16m/s.
Shtypja atmosferike zbret përreth vlerave normale, e më pas gradualisht me tendencë të rritjes.
(Kosova Sot Online )