E tmerrshme: 50-vjeçari nga Gjilani trafikoi një vajzë për një kohë të gjatë, i siguronte klientë për s*ks në këmbim të pagesës
Një hetim i nisur kohë më parë në kuadër të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, Sinjali mëson ekskluzivisht se ka rezultuar me identifikimin e një personi të dyshuar, i cili sipas informacioneve të para po dyshohet se për një periudhë të caktuar e ka trafikuar një vajzë 23-vjeçare për shërbime seksuale.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin V.A., i moshës 50-vjeçare, i cili sipas dëshmive që kanë siguruar organet e rendit, për një kohë të gjatë ka trafikuar viktimën, në një motel të Gjilanit (emër i njohur për redaksinë).
Në bazë të provave që janë mbledhur deri më tash, i njëjti e ka shfrytëzuar vajzën 23-vjeçare, duke krijuar fillimisht një lidhje dashurie me të me premtimin se më pas do të martohen.
Përmes këtij premtimi të rremë, ai e ka shfrytëzuar dhe trafikuar vajzën duke i siguruar klientë të cilëve ajo iu ka ofruar shërbime seksuale, në këmbim të pagesës, të cilën e ka marrë i dyshuari, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky rast i rëndë ka tronditur familjen e vajzës, të cilët tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre në Polici, ndërkohë që i dyshuari është përballur me dyshimet që rëndojnë mbi të.
Burimet e Sinjalit thonë se i njëjti tashmë është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorit dhe së shpejti priten të merren veprimet e nevojshme hetimore nga Prokuroria, për të paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
(Kosova Sot Online)