Ky është 50-vjeçari nga Gjilani që dyshohet se i siguronte klientë për s*ks në këmbim të parave

  • G.g /
  • 02 August 2022 - 09:21
Ky është 50-vjeçari nga Gjilani që dyshohet se i siguronte klientë për s*ks në këmbim të parave

Në media u raportua për arrestimin e një 50-vjeçari në Gjilan, i cili po dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore ka trafikuar për shërbime seksuale një vajzë 23-vjeçare. Ai u kap pas hetimeve disa mujore që rezultuan edhe me mbledhjen e provave që dëshmojnë se vajza u trafikua në një motel të këtij qyteti.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Sinjalin se personi që po dyshohet për këtë rast është Vedat Ademi, ndaj të cilit Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, pasi u arrestua gjatë ditës së djeshme.

Ajo që është edhe më tronditëse në këtë rast është se sipas informacioneve të para, Ademi po dyshohet se e ka shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të vajzës, e cila është me probleme mendore për ta shfrytëzuar dhe trafikuar për shërbime seksuale për një kohë të gjatë.

Gjithçka dyshohet se kishte nisur me joshje, ashtu që i dyshuari fillimisht kishte krijuar një lidhje dashurie me të, me premtimin se do të martohej me vajzën. Përmes këtij premtimi të rremë, ai e ka trafikuar viktimën, duke i siguruar klientë të cilëve ajo iu ka ofruar shërbime seksuale, në këmbim të pagesës, të cilën e ka marrë i dyshuari, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky rast i rëndë ka tronditur familjen e vajzës, të cilët tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre në Polici, ndërkohë që i dyshuari është përballur me dyshimet që rëndojnë mbi të.

Burimet e Sinjalit thonë se i njëjti tashmë është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorit dhe së shpejti priten të merren veprimet e nevojshme hetimore nga Prokuroria, për të paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në 12 vjet.

(Kosova Sot Online)