Ish-kancelari Schroeder dhe Putin flasin për pengesat e furnizimeve me gaz
Ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder, mik i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se është i shqetësuar me krizën energjetike të nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës.
Schroeder i ka kërkuar Putinit që t’ia shpjegoi se si e sheh këtë situatën dhe nëse gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 mund të bëhet funksionale.
Kremlini tha në takimin e zhvilluar javën e kaluar, Putin dhe Schroeder biseduan për pengesat e furnizimeve me gaz për Evropën.
Së fundmi janë ndërprerë disa furnizime për në Evropë dhe Moska ia ka lënë fajin mirëmbajtjes së një turbine të gazsjellësit.
Gjermania ka thënë se është e gatshme që të dërgojë pajisjen për tubacionin Rrjedha Veriore 1 – që sjell gazin nga Rusia në Gjermani – por, rusët ende nuk kanë kryer procedurat që turbina të rikthehet në funksion.
“Ai [Schroder] i kërkoi Putinit që të qartësojë situatën dhe të shpjegojë pozicionin e palës ruse për këtë çështje”, tha më 3 gusht zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov tha se Putin i tha Schroederit se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është i gatshëm për përdorim. Ai po ashtu pretendoi se furnizimet me gazin rus kanë rënë për rreth 30 milionë metër kubik në ditë nga 167 milionë sa ishin para se Polonia të vendoste sanksione ndaj gazsjellësit Yamal-Evropë dhe Ukraina të mbyllte rrugët transit për gazin rus.
Schroeder, që ka qenë kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005, e ka kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, ai ka refuzuar që të dënojë Putinin, të cilin ende e konsideron mik të afërt.
Ndërtimi i gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 kanë përfunduar më herët gjatë këtij viti. Ky gazsjellës mëton të sjellë gaz natyror nga Rusia në Gjermani, por ndaj këtij projekti ka pasur shumë kritika, për shkak të rritjes së varësisë së Berlinit nga energjia ruse. Gazsjellësi është bllokuar dhe nuk është funksionalizuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
(Kosova Sot Online)