“Mi jepni 4 mijë e 500 ose ju vras”/ Burri në Lipjan rrah gruan dhe kërcënon familjarët
Çdo ditë në Polici denoncohen dhjetëra raste nga gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe familjarët tjerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Një familje në fshatin Ribar i Madh është në hall me të zotin e shtëpisë, i cili vazhdimisht dyshohet se ushtron dhunë psikike e fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar gruaja, e cila ka deklaruar se dje gjatë ditës është rrahur nga bashkëshorti i saj, i cili i ka kërcënuar familjarët me vdekje në rast se nuk ia japin një shumë të parave prej 4 mijë e 500 euro dhe është larguar nga shtëpia.
Hetuesit policorë kanë intervistuar edhe fëmijët e çiftit të cilët janë shprehur të shqetësuar dhe kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt të jetojnë me babain e tyre.
I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
(Kosova Sot Online)