Mërgimtari: Kurti e Osmani janë dhuratë nga Zoti, babë e nanë të Kosovës

  • G.g /
  • 05 August 2022 - 12:07
Mërgimtari: Kurti e Osmani janë dhuratë nga Zoti, babë e nanë të Kosovës

Kur kishte vdekur ish-presidenti Ibrahim Rugova, Shiqeri Ramadani, 55-vjeçar, nga Ferizaj, mendonte se Kosova mbeti pa ‘babë’.

Këtë vend sipas tij, e kanë zënë tash Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

“Me ardhjen e kryeministrit tonë, Albin Kurti, dhe presidentes, Vjosa Osmani – që u bashkuan – kjo është dhuratë nga Zoti, që na i ka bërë bashkë këta njerëz, dhe sot jemi me një babë dhe me një nënë”, thotë ai.

Portreti i Vjosa Osmani dhe ai i Albin Kurtit, zënë vend në krahët e Shiqeri Ramadanit.

“Unë kurrë nuk mbijetoj. Unë jetoj fuqishëm”, është thënia e Kurtit të cilën 55-vjeçari e ka bërë tatuazh në trupin e tij bashkë me portretin e kryeministrit Kurti.

Derisa në dorën e djathtë, ai ka portretin e presidentes Vjosa Osmani.

Në trupin e tij, nuk mungon as emri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Aspak nuk m’ka ardhë vështirë, por e ndiej veten shumë mirë dhe shumë krenar që e kom bo. E kom bo vetëm se e ndiej unë në shpirt, po edhe me thy ni tabu, me pasë ni guxim, që të bësh atë që e ndjen”.

Albin Kurti erdhi në pushtet edhe me ndihmën e votave të diasporës.

Njëri prej votuesve ishte edhe Shiqeri Ramadani, i cili beson që kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, do të futen në histori.

“Nuk ka premtuar territore, nuk ka premtuar shumë vende pune, por premtimi më i madh po e them, drejt dhe vetëm drejt, hajnat n’burg. Këta do të lënë gjurmë, sa të jenë gjallë. Do të bëjnë histori. Do ta mbërrini edhe ju, besoj edhe unë, sepse unë jam në moshën 55-vjeçare, por pretendoj të jetoj mbi 100 vjet”.

Shiqeri Ramadani ka jetuar jashtë Kosovës që nga viti 1987, dhe kishte qëndruar në shtete të ndryshme.

Katër vjet më parë, ai u kthye nga Norvegjia për të jetuar në Kosovë.

Dashurinë që ka për Kurtin, ai tenton ta transmetojë edhe te mërgimtarët tjerë, të cilët i vijnë për vizitë në shtëpinë e tij, ku mbizotërojnë simbolet shqiptare.

“Vazhdoni duajeni ndryshimin, të ndryshojmë një sistem, ta bëjmë një sistem si ju që e keni në Suedi, ku jeni n’mërgim, që një ditë fëmijët tuaj të vijnë ta gëzojnë vendin e tyre, në vendlindjen në Kosovë, në Drenas, Ferizaj, në çdo vend të Kosovës”.

“Vazhdojmë fuqishëm. Ne mërgimtarët e duam Kosovën me shpirt”.

https://www.facebook.com/watch/?v=1017723128922899

(Kosova Sot Online)