Paralajmërohet diskutim i rëndësishëm për Asociacionin më 18 gusht në Bruksel

  • G.g /
  • 06 August 2022 - 17:35
Paralajmërohet diskutim i rëndësishëm për Asociacionin më 18 gusht në Bruksel

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se në takimin e 18 gushtit në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ketë diskutime të rëndësishme, përfshirë edhe temën e nxehtë të formimit të Asociacionit.

Në një bashkëbisedim virtual me gazetarë, Escobar dje tha se një inkurajim për t’i folur këto çështje kryeministri Kurti e ka marrë edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në takimin që pati në SHBA bashkë me presidenten Osmani.

“Presidentja dhe kryeministri i Kosovës së fundmi janë takuar me Sekretarin e Shtetit. Ishte një takim i mrekullueshëm. Sekretari përsëriti mbështetjen tonë për pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Në të njëjtën kohë, ai inkurajoi Kosovën që të punojë për krijimin e mundësive për stabilitet më të madh rajonal, si dhe theksoi nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet për të cilat ishte rënë dakord më parë, duke përfshirë edhe Asociacionin. Kështu që unë shpresoj që në Bruksel javën e ardhshme, ose pas dy javësh, do të ketë një diskutim të rëndësishëm për këtë dhe gjithashtu të ndërmarrin hapa përpara edhe për këtë”.

Për çështjen e Asociacionit Escobar dje e bëri të qartë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe s’duhet të jetë kurrsesi shtet brenda shtetit.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)