Gënjeshtrat e vazhdueshme të opozitës, i bëjnë edhe më të besueshme veprimet e qeverisë
Shkruan: ANALISTI-Dr. Hysni Aliu
Reagimet histerike të një pjese të opozitës, në një intervistë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti për një media të huaj, ku Kurti flet për rrezikun e një lufte në Kosovë, luftë e cila do iniciohej nga Serbia dhe Rusia, janë shumë shqetësuese, sepse janë reagime plotësisht në një linjë me reagimet e qeverisë së Vuçiqit dhe zyrës për Kosovë në atë qeveri. Nuk u befasova shumë me reagimet histerike të të tjerëve, por më shqetësoj dhe befasoi reagimi i kryetarit të LDK-së dhe z. Abdixhiku, i cili ishte shumë i heshtur dhe me asnjë fjalë nuk e përmendi invazionin ushtarak të Serbisë në veri me 31.7. invazion që u bë ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.
Desha të ja përkujtoj z. Abdixhiku dhe opozitarëve tjerë, se për rrezikun e luftës në Ballkan, fatkeqësisht po flitet në të gjitha qarqet ndërkombëtare, madje edhe në raportimet e institucioneve më kredibile ndërkombëtare, dhe kjo po ndodhë më tepër se një vit. Z. Kurti e tha vetëm një të vërtetë, me qëllimin më të mirë që bashkësia ndërkombëtare ta merr më seriozisht situatën dhe ta parandaloj atë luftë. Autogolin, për të cilin fliste z. Abdixhiku, duhet ta dinë, që ato autogola janë duke i dhënë në portën e Kosovës për çdo ditë të lume opozita, në krye me LDK-në. Siç po duket ndeshja u shit nga ta, dhe gjyqtari i ndeshjes ishte caktuar z. Grenell, por ky marifet u zbulua me kohë. Për mendimin tim, sjellja e opozitës, që është destruktive dhe jo dashamirëse në raport me shtetin tonë, po e bënë më të mundshme mundësinë e një lufte në Ballkan.
Një kryeministër i cili është i atakuar nga të gjithë brenda shtetit, është më pak i besueshëm në rezistencën e tij, andaj kjo e bënë më të lehtë besimin e Serbisë dhe Rusisë, se tani që z. Kurti është kryeministër dhe i sulmuar në të katër anët nga opozita shqiptare, është edhe momenti adekuat për sulm. Çdo fjalë e verme dhe çdo vepër që bëhet edhe nga pozita edhe nga opozita, peshohet nga populli, andaj bini mas veti. Populli nuk han bar, por din në mënyrën më të mire ta kuptoj gënjeshtrën që i servohet dhe të vërtetën. Gënjeshtrat e vazhdueshme të opozitës, i bëjnë edhe më të besueshme veprimet e qeverisë.
Për opozitën: Nëse kauzën tuaj kundër qeverisë, tentoni ta ndërtoni në bazë të gënjeshtrave,( që është e njëjtë me skemat piramidale), atëherë ashtu siç shemben këto skema, do të shembet edhe kauza juaj. Andaj e ftoj opozitën, që të del në anën e botës perëndimore në këtë betejë të jesh apo të mos jesh me Rusinë dhe Serbinë, ose në të kundërtën, populli do ta dënon me votën e vetë edhe në zgjedhjet tjera ashtu siç e bëri në të kaluarat.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".