“30 agjentë fillojnë plaçkitjen”, djali i Trumpit flet për urdhrin e bastisjes, si e mësoi lajmin Bideni

  • G.g /
  • 09 August 2022 - 11:46
“30 agjentë fillojnë plaçkitjen”, djali i Trumpit flet për urdhrin e bastisjes, si e mësoi lajmin Bideni

Djali i Donald Trump, Eric ka qenë një ndër të parët nga familja dhe stafi i ngushtë i ish-Presidentit që është prononcuar për mediat, pas bastisjes së FBI në kompleksin Mar-a-Lago, që familja posedon në Florida.

Eric Trump akuzoi administratën e drejtuar nga Demokratët se duan të “sulmojnë kërcënimin më të madh të Bidenit”, që sipas tij është i ati Donald.

Teksa kompleksi u bastis si pjesë e një hetimi ndaj ish-Presidentit pas dyshimeve se ai mund të ketë marrë me vete dokumente të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, Eric Trump u shfaq në Hannity ku zbuloi se ishte ai që paralajmëroi babanë e tij për bastisjen dhe tha se zyra e Donald ishte plaçkitur, por agjentët nuk gjetën “asgjë në kasafortë”.

Bastisja u tha se ishte e autorizuar nga gjykata dhe FBI u dha agjentëve të Shërbimit Sekret të SHBA-së në Mar-a-Lago një njoftim paraprak dhe ata bashkëpunuan për të ndërhyrë në pronë, raportoi NBC News.

Por Shtëpia e Bardhë  dhe Presidenti Joe Biden duken se kanë qenë të painformuar për mësymjen në banesën e Trump. Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë mësuan për bastisjen e FBI-së në Mar a Lago nga Twitter-i, siç raporton New York Times.

Eric Trump, i cili u pa në Trump Tower të hënën, tha se ishte ai që mori telefonatën e parë për ngjarjen dhe ia komunikoi më pas të atit.

“Unë isha ai që mora telefonatën këtë mëngjes dhe i telefonova babait tim dhe e njoftova se ndodhi, dhe unë isha i përfshirë gjatë gjithë ditës. Mirë se erdhe në politikë në vitet 2020”, i tha ai prezantuesit të Fox News, Sean Hannity.

Në vijim, Eric shtoi: “Të shohësh 30 agjentë të FBI-së, në fakt më shumë se kaq të zbresin në Mar-a-Lago, të mos e njoftosh publikisht dhe të kalosh nëpër porta. Të fillosh plaçkitjen e një zyre, të grabitësh një dollap…. E di ti, ata hapën një kasafortë. Ai nuk kishte asgjë as në kasafortë. Domethënë, më jep një ide ç’po ndodh”.

Më tej, Eric Trump akuzoi Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Joe Biden si forca madhore që fshihet pas bastisjes.

“Kjo nuk erdhi nga një zyrë lokale e FBI-së në terren në Palm Beach, Florida. E dini nga erdhi kjo? Kjo erdhi nga një vend dhe një ndërtesë, dhe kjo është Shtëpia e Bardhë në Uashington, D.C. Ata duan të sulmojnë një person që ata e shohin si kërcënimin e tij më të madh, kërcënimin më të madh të Bidenit”, theksoi i biri i Trump.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë deri më tani nuk ka bërë asnjë deklaratë mbi çështjen në fjalë.

https://twitter.com/TrumpWarRoom/status/1556814160989753347?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1556814160989753347%7Ctwgr%5E5ab1759ab5698cfb5a82fa1ff6006f5b8f98eb9c%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2F30-agjente-fillojne-plackitjen-djali-i-trumpit-flet-per-urdhrin-e-bastisjes-si-e-mesoi-lajmin-bideni%2F

(Kosova Sot Online)