Hajni i 12 mijë eurove që u arrestua në Viti dyshohet edhe për shitblerje të drogës – ia kapin qeset me marihuanë
I dyshuari për vjedhjen e rëndë në një shtëpi më 1 korrik tashmë ka rënë në prangat e Policisë. Gazeta Sinjali raportoi se ai u kap gjatë ditës së djeshme pasi ishte shpallur në kërkim për më shumë se një javë, nën dyshimet se vodhi 12 mijë euro para e stoli ari.
Por ky nuk është rasti i vetëm për të cilin ai dyshohet. Arrestimi për vjedhjen u bë ‘sebep’ që Policia ta zbulojë se ai dyshohet edhe për drogë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se me rastin e arrestimit, të dyshuarit i janë gjetur në veturë disa qese me substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuanë, që më pas u konfiskuan nga zyrtarët policorë.
Pas paraqitjes së provave në lidhje me këtë rast, janë ngritur dyshimet se i njëjti merret edhe me shitblerje të drogës. Kjo ka bërë që Prokurori i Shtetit të iniciojë rast të ri ndaj të dyshuarit, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
(Kosova Sot Online)