Politikanja liberale nga Kosova e ‘tollovit’ Zvicrën: “Në vendlindje s’do ta kishte zgjedhur burrin vet”

  • G.g /
  • 10 August 2022 - 10:37
Politikanja liberale nga Kosova e ‘tollovit’ Zvicrën: “Në vendlindje s’do ta kishte zgjedhur burrin vet”

Sanija Ahmeti, një politikane në Zvicër e cila kishte lindur në vitin 1992 në Kosovë, po shkakton tollovi për kundërshtarët e saj politikë dhe mbështetësit e tyre atje.

Ahmeti, një politikane liberale, tani është kryetare e lëvizjes politike “Operacioni Libero” dhe ky post e ka bërë tashmë të njohur në të gjithë Zvicrën. . Nga viti 2019 ajo ishte anëtare e bordit ekzekutiv të Partisë Liberale të Gjelbër në Zvicër dhe që nga viti 2020 anëtare e kryesisë së partisë së Partisë Liberale të Gjelbër të Kantonit të Cyrihut.

Sanija Ahmeti është ndjerë e diskriminuar në Zvicër. Në një intervistë për gazetën e njohur zvicerane, Neue Zürcher Zeitung vitin e kaluar, ajo kishte thënë: “Unë përfaqësoj historinë e shumë të rinjve në Zvicër, të cilët, si fëmijë refugjatë, duhej të punonin për privilegjet në këtë vend”.

“Është një brez i ri që ne fillimisht duhet ta njohim si pjesë të këtij vendi, sepse do ta mbështesin këtë vend, duan apo nuk duan të gjithë. Prandaj, ‘Operacioni Libero’ do të bëjë fushatë për të drejtat civile liberale në mënyrë që kjo pjesë e popullsisë të njihet si anëtare e plotë e Zvicrës. Kjo do të thotë, nga ana tjetër, se kjo pjesë duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë vend. Të bësh politikë do të thotë të marrësh përgjegjësi për këtë vend. Për mua personalisht, sfida më e madhe është të jap shembull dhe t’i inkurajoj të tjerët të përfshihen politikisht”, ishte shprehur ajo.

Por politikanja ambicioze nga Kosova duket se ka krijuar shpejt armiq në Zvicër. Së fundmi, ajo është sulmuar ulët nga gazeta “Die Weltwoche“. Ankesat e Sanija Ahmetit për Zvicrën nuk i kanë pëlqyer asapak këtij mediumi.

“Sanija Ameti u ankua në Tages-Anzeiger për Zvicrën, në të cilën prindërit e saj ikën nga Kosova në vitin 1995 me vajzën e tyre trevjeçare”, shkruan ky medium.

“Die Weltwoche” shkon deri në racizëm, duke shkruar për një situatë hipotetike, sikur politikanja kosovare të ishte rritur në vendlindjen e saj.

“Nëse Sanija Ameti do të ishte rritur në Kosovë në vend të Zvicrës, ajo mund të mos lejohej ta vazhdonte universitetin me shpenzimet e taksapaguesve dhe të mos ishte lejuar të studionte drejtësi. Dhe ndoshta do të vishej më pak zbuluar. Dhe ajo mund të mos lejohej ta zgjidhte vetë burrin e saj”, shruan ky medium.

Më tej, për Sanija Ahmetin shkruajnë se ajo “e krahason ardhjen e saj në Zvicër me Portat e Ferrit të Dantes, mbi të cilat shkruhej: “Ju që hyni: Hiqni dorë nga çdo shpresë””.

“Pra, Zvicra është një ferr i pashpresë për kosovaren”, shkruan “Die Weltwoche“, duke vazhduar me një pyetje: “Pse ajo e ka duruar këtë ferr deri më sot?”.

Mediumi zviceran e sulmon ashpër kosovaren, duke e akuzuar se po dëshiron të shfuqizojë gjithçka që e ka bërë Zvicrën shtetin që është sot. “Prandaj preferon të jetojë këtu sesa në Kosovën e saj të lindjes”, shkruan ndër tjerash ky medium.

Në fund shkruhet se ajo “duhet t’i jetë mirënjohëse Zvicrës dhe zviceranëve” dhe se “ajo nuk duhet të presë që zviceranët të jenë mirënjohës ndaj saj dhe operacionit të saj Libero”.

Sanija Ahmeti përshkruhet në zvicër si “e huaja që nuk dëshiron t’ua lërë pushtetin politik atyre që kanë qenë këtu për dekada”.

(Kosova Sot Online)