PDK: Të shkarkohet ambasadori Berishaj

  • E. /
  • 17 August 2022 - 14:18
PDK: Të shkarkohet ambasadori Berishaj

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, në një konferencë për media tha se partia e tij ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas, siç tha kjo parti, ngritjes së kallëzimit penal kundër tij nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Abdullahu tha se PDK ka insistuar në forma të ndryshme që të ndriçohet rasti i ambasadorit Berishaj, që nga raportimi se ai është i përfshirë në një skandal korruptiv.

“I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara, e për rrjedhojë krejt kjo ka ngjallë me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se, edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga Kryeministri edhe nga Presidentja”, tha ai.

Për këtë, Abdullahu tha se është ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë.

“Ne duam të besojmë shumë dhe kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi i cili ka qenë edhe anëtar i VV-së dhe promotor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Evropës, në veçanti të Kurtit, politikan të cilin me anketa të shpifura nga Sllovenia, nga viti 2013 e këndej, proklamohej si fitues i zgjedhjeve. Firma e tij ka vetëm një të punësuar, konkretisht vetëm Martin Berishajn, si është e mundur, ky qarkullim me vetëm një njeri. Pse ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij të cilën e ka në Mal të Zi,  pse edhe dy kompani të tjera me seli në Kosovë (Myloja L.L.C. dhe Zaslon Kosova L.L.C.) nuk i ka deklaruar në formularë”, theksoi ai.

Ai tha se qasja e pushtetarëve sot është “mentalitet populist i pushtetit që bën paqe të kamufluar me korrupsionin, e në anën tjetër trumbeton shurdhueshëm për luftë kundër tij”.

“Marrë parasysh të gjitha këto dhe të tjerat si këto, ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht, pos tjerash edhe me qëllim që të mundësohet hetim i drejtë dhe i papenguar. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët, por këtë nuk e ka bërë pushteti që e ka mbrojtur dhe përkrahur.Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, tha Abdullahu.

(Kosova Sot Online)