Scholz do që Ballkani Perëndimor të përfshihet në zgjerimin e BE-së
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ai është “i përkushtuar” për zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukrainën e Moldavinë, si dhe Gjeorgjinë. Ai tha se “qendra e Evropës po lëvizjes drejt lindjes”.
“Anëtarësimi i tyre në BE është në interesin tonë”, tha Scholz gjatë një fjalimi më 29 gusht në Universitetin Çarls të Pragës, teksa ai shpalosi vizionin e tij për një Evropë të zgjeruar.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia, që të gjitha po kërkojnë anëtarësim në BE. Por, gjashtë shtetet e Ballkanit kanë shprehur zhgënjimin e tyre për shkak të ngecjeve në proces, veçanërisht pasi blloku vendosi në qershor, përmes një procesi të përshpejtuar, që t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë në një stad më të përparuar drejt anëtarësimit, dhe dy shtetet kanë hapur disa kapituj me BE-në. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut korrikun e këtij viti kanë nisur bisedimet për anëtarësim, ndërkaq Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të fundit në rajon sa i përket rrugëtimit të tyre drejt BE-së. Prishtina dhe Sarajeva ende nuk kanë fituar statusin e vendit kandidat.
Në dritë të pushtimit rus të Ukrainës, Scholz u bëri thirrje të 27 anëtarëve të bllokut që të “zgjidhin konfliktet e vjetra dhe të gjejnë zgjidhje të reja”, duke shtuar se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e saj për Kievin “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Megjithatë, “në këtë bllok të zgjeruar, dallimet midis shteteve anëtare do të rriten sa i përket interesave politike, ndikimit ekonomik dhe sistemeve të sigurisë shoqërore”, tha ai.
“Ku kërkohet unanimiteti në ditët e sotme, rreziku që shtetet individuale të përdorin veton dhe të parandalojnë shtetet e tjera për të marrë vendime, rritet pas çdo anëtarësimi të ri”, shtoi ai.
“Prandaj, kam propozuar një tranzicion gradual drejt votimit përmes shumicës për politikën e përbashkët të jashtme, por edhe për çështje të tjera, sikurse politikat tatimore – duke e ditur shumë mirë se kjo mund të ketë pasoja për Gjermaninë”, tha Scholz.
Shtetet e BE-së, sikurse Kroacia, Rumania dhe Bullgaria plotësojnë të gjitha kriteret që të bëhen anëtare me të drejta të plota në zonën për lëvizjen e lirë, Shengen, tha Scholz.
“Shengeni është një prej arritjeve më të mëdha të BE-së, dhe ne duhet ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë atë. Kjo nënkupton se duhet të mbyllen boshllëqet që kanë mbetur”, tha kancelari gjerman.
Scholz akuzoi presidentin rus, Vladimir Puti, se po kërkon që të “ndryshojë kufijtë përmes dhunës” dhe se pushtimi rus i Ukrainës është “një sulm ndaj rregullit të sigurisë së Evropës”.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe të shikojmë se si gratë, burrat dhe fëmijët po vriten ose të shohim shtetet e lira të fshihen nga harta dhe të zhduken pas mureve apo perdeve të hekurta. Ne nuk duam të kthehemi në shekullin e 19-të apo të 20-të me luftërat pushtuese dhe me totalitarizëm”, deklaroi Scholz.
“Është pikërisht kjo Evropë e bashkuar është kaq anatemë për Putinin. Sepse nuk përkon me vizionin e tij për botën, në të cilin shtetet e vogla detyrohen t’iu nënshtrohen një grushti fuqish të mëdha evropiane”, tha lideri gjerman.
Gjermania do të dërgojë armë për Kievin në javët në vijim, njoftoi ai.
“Në javët dhe muajt në vijim, ne do të dërgojmë armë të reja për Ukrainën, sikurse sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme radarësh dhe dronë. Paketa jonë e fundit e ndihmës me armë kishte vlerën prej 600 milionë eurosh. Qëllimi ynë është që ushtria moderne ukrainase të jetë në gjendje të mbrojë shtetin e tyre”, tha Scholz.
Gjermania po ashtu mund të marrë përsipër edhe detyra të reja, në kuptimin e ndërtimit të kapaciteteve të artilerisë dhe mbrojtjes ukrainase, tha Scholz.
(Kosova Sot Online)