Lexoni edhe:
Ky është kulmi i pa përgjegjësisë në Gjykatën Kushtetuese: 14 muaj për të marrë një vendim
“Asnjë nuk është i paprekshëm”, tha Kryeministri Kurti për vartësit e tij, duke paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar. Sipas Shkelzen Gashit, këtë kërcënim është dashur ta bëjë më herët, por shton se Ministrat e Listës Guxo nuk mund t’i prekë. Gazetari Astrit Gashi vlerëson se nuk do të ketë shkarkime pasi Kurti nuk ka me kë t’i zëvendësojë ministrat aktualë. Media mëson se në Kryeministri veç është duke u kryer vlerësimi i secilit. Disa prej tyre kanë marrë pikë të larta.
Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj, tha kryeministri Albin Kurti para Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, të dielën, kur nisi të fliste për vartësit e tij. “Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar”.
Aty Kurti foli edhe për “egoizma e karrierizma”, të cilat, deri në atë moment ku u thanë nga goja e Kurtit, mendohej se mbështeteshin vetëm në spekulime.
Është folur edhe më herët se ka pakënaqësi ndaj emrash të përveçëm në Qeveri. Është folur edhe për mundësinë e riformatimit të Qeverisë, por asnjëherë nuk është thënë diçka zyrtare rreth kësaj. Zyrtarisht, Kryeministri Kurti të dielën tregoi se mund të ketë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar.
“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”, tha Kurti.
Media mëson se tashmë po punohet në një raport në Zyrën e Kryeministrit, ku po vlerësohen ministrat veç e veç.
Një burim i ka thënë Expressit se janë disa ministra, të cilët kanë marrë vlerësim më të lartë, si ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
A priten shkarkime ministrash ?
Studiuesi Shkelzen Gashi, ish-këshilltar dhe ish-bashkëpunëtor i Kurtit, thotë se adresimin e së dielës në Këshillin e LV-së, e sheh si “kërcënim” të Kryeministrit ndaj ministrave të tij. Ai thotë se një kërcënim i tillë është dashur të bëhet kaherë.
“Ai e ka pa që shumë anëtarë të VV-së, mbështetës e votues të VV janë të pakënaqur me performancen e ministrave… e të qeverisë në përgjithësi…”, thotë Gashi, duke shtuar se “njerëzit janë të kënaqur me Qeverinë, vetëm sa i përket dialogut me Serbinë”.
Vetë Kryeministri Kurti, së paku në fjalimin e tij publik, i ka lënë hapësirë ndërrimit të ministrave. Ai tha se asnjëri nuk është i paprekshëm.
“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”.
Disa herë gjatë Qeverisë Kurti II është spekuluar rreth mundësisë së shkarkimit të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kryesisht pas ndonjë skandali, apo për deklarimet e saj rreth UÇK-së.
Gashi nuk pret që Kurti “t’i prekë” ministrat e Listës Guxo, pasi beson se mund t’i prishet koalicioni qeverisës.
Me gjithë ato që u deklaruan edhe nga vetë Kurti, gazetari Astrit Gashi nuk pret që të ketë ndryshime të kabinetit qeveritar. Së paku jo pa shkuar gjysma e mandatit të Qeverisë.
Gazetari thotë se një pjesë e joperformancës së ministrave lidhet me “politikat qeveritare lart”.
Sipas tij, ministrat aktualë, Kurti nuk ka as me kë t’i zëvëndësojë dhe kjo është një prej arsyeve që nuk pret ndryshime në kabinetin qeveritar.
“Faktikisht, Kurti s’po arrin më të tërheqë në qeverisje kuadro kompetentë për shumë arsye”, tha Gashi.
Performanca e ministrave
Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, është më i ulëti në dekadën e fundit, thuhet në një raport të publikuar nga Instituti GAP. Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind.
Mosrealizimi i mveshet Qeverisë Kurti, e cila kritikohet për mospunë.
Kryeministri Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së, ku shkurt foli për parti, e gjatë për Qeveri, tha se nuk mjafton vetëm të mos vjedhin, por ministrat duhet edhe të punojnë.
“Nuk mjafton që të thuhet se ministri apo zëvendësministri i VETËVENDOSJE!-s nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës”, tha Kurti.
Ai pati urdhra e udhëzime për vartësit e tij, të cilat zgjodhi t’ua thoshte edhe publikisht .
“Nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre”, tha Kryeministri.
Qeveria Kurti II, e votuar në mars të vitit 2021, përbëhet prej ministrave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe partitë minoritare në vend.
Kryeministri Kurti nuk ka liruar ndonjë ministër nga detyra, përveç Arben Vitisë, që dha dorëheqje kur garoi për kryetar të Prishtinës dhe nuk u kthye më në ministri, kur humbi garën.
(Kosova Sot Online )