Serbia me stërvitje ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se forcat e armatosura serbe po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.
“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara dhe aftësisë së tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes më 31 gusht.
Siç thuhet në njoftim, vëmendje e posaçme do t’i kushtohet “stërvitjeve të veprimeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njësisë, si dhe taktikave, teknikave dhe procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha se forcat e armatosura serbe, të dislokuara në Zonën e Sigurisë Tokësore, kryejnë stërvitje gjatë gjithë vitit si para dislokimit, por edhe për zbatimin e detyrave që kanë në Zonën e Sigurisë Tokësore.
Kjo, sipas autoriteteve të mbrojtjes serbe, “siguron një nivel të lartë të aftësisë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve që bien në fushën e përgjegjësisë së tyre”.
Këto stërvitje vijnë në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre.
Njësoj do të veprojë edhe Kosova për shtetasit e Serbisë.
Për këtë marrëveshje, palët u morën vesh më 27 gusht, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Heqja e dokumenteve për hyrje/dalje pasoi përshkallëzimin e tensioneve midis dy shteteve, pasi serbët lokalë në veri ngritën barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dokumente, por edhe për riregjistrimin e makinave.
Më 1 shtator, po ashtu nis afati dymujor për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë në veri të Kosovës, e që lëshohen nga Serbia.
(Kosova Sot Online)