U arrestua në Palasë, bosi turk i kriptomonedhave gati të arratisej nga deti
Bosi turk i kriptomonedhave Faruk Fatih Özer u arrestua në Drimadhes disa ditë para se të arratisej nga Shqipëria. Mësohet se ai kishte gati planin për t’u arratisur nëpërmet rrugëve detare.
Prej kohësh ai kërkohej nga Interpoli për mashtrim të bashkëkombasve të tij, në investimet me monedhën virtuale turke “Thodex”.
Ai ishte arratisur nga Turqia për në Shqipëri në prill të vitit 2021 dhe jetonte në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.
28 vjeçari u arrestua në dhomën e vilës, gjysmë i zhveshur. Bashkë me të në polici u shoqëruan për tu marrë në pyetje Evaldo Haxhiu 37 vjeç nga Durrësi, nipi i Armando Dukës dhe 36 vjeçari nga Tirana, Bojken Shkëmbi, të cilët ndodheshin me të.
Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi laptopë, aparate celulare dhe karta bankash.
28-vjeçari Farku Ozer prej një vit është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Intepol Ankara për veprat penale, “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Turqia është në pritje të ekstradimit të tij siç bëri me dije ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu. Gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia e Ozerit u ndanë me policinë turke, pas së cilës identiteti i tij u konfirmua, ndonëse kishte bërë ndryshim në pamje.
Me flokë të prerë dhe me kapele, bosi i kriptove dukej se ishte kthyer në gangster. Kohët e fundit ai jetonte në Elbasan, ndërsa në jug ishte zhvendosur për pushime. Mësohet se policia ra në gjurmët e tij pasi përgjonte telefonin e mikut të tij Haxhiut.
(Kosova Sot Online)