![Dy vajza arrestohen pasi tentuan të fusin marihuanë në Dubravë](/uploads/kosova-sot/images/2023/September/12/200x200_auto_burgu-dubraves-1-657x350_1546871068-688492015468713221694511793.jpg)
Rama nuk i ndal lavdet për Vuçiçin: Dha sinjale paqeje me Kosovën
![Rama nuk i ndal lavdet për Vuçiçin: Dha sinjale paqeje me Kosovën](/uploads/kosova-sot/images/2022/September/02/auto_850x600_foto0816621098051662111879.jpg)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë merita iniciativës “Ballkani i Hapur” për shumë procese. Aty ka përfshirë edhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Në samitin që po mbahet në Beograd, Rama tha se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me karta identiteti nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri shqiptar ka falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, pasi sipas tij, ky i fundit ka treguar qartë se është për paqe.
“Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe zgjidhja e Ballkanit të Hapur. E them me krenari se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhje nga Ballkani i Hapur. Nuk do të ishte nevoja që të shpenzohej aq shumë kohë e energji, nëse edhe Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanin e Hapur. I shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja, zgjidhja për njerëzit. Kjo nuk zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, tha Rama.
“Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen jo vetëm të gjitha vendet e rajonit tonë, por edhe vende si Turqia dhe Italia. Kur po diskutonim Ballkanin e hapur, një kryeministër i një vendi të BE-së, më tha pse nuk ishin ftuar. Më vjen shumë mirë që duan të ftohen në Ballkanin e hapur gjithmonë e më shumë vende që i përkasin atyre hapësirave ku ne kemi kaq shumë vite që presim të ftohemi”, tha Rama.
(Kosova Sot Online)