Kurti e Haxhiu paralajmërojnë konferencë të përbashkët për media
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë paralajmëruar një konferencë për media për nesër në ora 10:00.
Arsyeja dhe tema e kësaj konference nuk është bërë e ditur, por ditëve të fundit, Kurti dhe Haxhiu kanë qenë të ashpër në kritikat e tyre ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë.
Ministrja Haxhiu në një postim të saj në Facebook lidhur me rastin e dhunimit të vajzës 11 vjeçare në Prishtinë, ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka vepruar kur është raportuar për dhunim në muajin qershor.
Ajo ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit të ngarkuar me rastin në muajin qershor.
“Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera.”, ka shkruar Haxhiu në këtë postim të saj.
Ndërsa, Kurti në një reagim të tij, që është shpërndarë nga Haxhiu, ka pyetur: Ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?
Ai në postimin e tij, ka thënë se aktakuzat jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen, ndërsa sipas tij, gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet.
Ai ka përmendur mosreagimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërsa ka thënë se shteti i Kosovës nuk mund të bart koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.
Ky është postimi i tij:
Nuk mjaftojnë dy dorëheqje
Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare.
Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.
Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.
Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?
Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.
Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.
Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.
Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.
Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.
Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.
https://www.facebook.com/albini2017/posts/623287492498315
(Kosova Sot Online)