Me flamuj serb e atmosferë festive , Bërnabiç po pritet në veri

  • G.g /
  • 05 September 2022 - 11:07
Me flamuj serb e atmosferë festive , Bërnabiç po pritet në veri

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh të nacionalitetit serb në pjesën veriore të Kosovës janë grumbulluar në pritje të Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila për herë të parë viziton Kosovën, për një qëndrim një-ditor.

Në fotografitë e publikuara nga media serbe në Zveçan, “Kosovo-online”, shihen të pranishëm edhe zyrtarët e Listës Serbe.

Bërnabiç është nisur për vizitë në komunat veriore të Kosovës së bashku me të ashtuquajturin drejtor të një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën në një konferencë për media tha se vizita e Bërnabiç erdhi si kundërpërgjigje e kërkesës për vizitë të zv/kryeministrit Besnik Bislimi, dhe ministres së arsimit, Arbërie Nagavci në Luginën e Preshevës.

Bërnabiç, siç ka lajmëruar zyreja e Petkoviçit, do të vizitojë një qendër multimediatike në pjesën veriore të Mitrovicës, për të vazhduar me vizita tjera të ngjashme.

Portali “kosovo-online” shkruan se atmosfera e pritjes së Ana Bërnabiç, është festive, por shton edhe se numri i forcave policore mbikqyrëse është rritur vërejtshëm.

(Kosova Sot Online)