Nano “zbërthen” shoferin e “mbretit”, oficeri i tregoi 12 drejtorët e policisë që i shërbejnë Ervis Martinajt

  • 05 September 2022 - 12:44
Nano “zbërthen” shoferin e “mbretit”, oficeri i tregoi 12 drejtorët e policisë që i shërbejnë Ervis Martinajt

Jeton Lami, oficeri i policisë operacionale që u arrestua vetëm pak ditë pas zhdukjes së Martinaj në Shijak, u kthye një ndër shkaqet e radhës që sollën rihapjen e konfliktit mes Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.Jeton Lami, pasi është vënë në dijeni përmes një videoje duke shoqëruar Ervis Martinaj dhe se ndaj tij kishte një vendim arrestimi, ai ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano. Pikërisht në këtë takim, Jeton Lami, mësohet të ketë informuar Nanon për fatin e Ervis Martinaj dhe arsyet pse e shoqëronte të kërkuarin e SPAK.

Jeton Lami, i ka pohuar Gledis Nanos plot 12 drejtues të lartë policie, që janë ende në detyrë dhe ish-detyrë, të cilët kanë mbajtur kontakte dhe ndihmuar Ervis Martinaj.

Për emrat e drejtuesve të lartë të policisë, është informuar dhe një ambasadë mike në Shqipëri. Disa prej këtyre 12 emrave janë në Drejtorinë Qëndrore të Policisë, ndërsa disa kanë shtrirje në qarqe.

Nga sa mësohet Nano, i ka kërkuar Jeton Lamit që rrëfimi i tij të merret me procesverbal në mënyrë që të kishte efektin e provës proceduriale.

Por Jeton Lami s’ka pranuar propozimin e Nanos, për arsye sigurie. Lami sot mbahet në burgun e “Shën Kollit” në Lezhë, dhe deri në këtë fazë akuza ndaj tij është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është shkarkuar nga detyra.

Para se t’i kërkohej dorëheqja dhe më pas të largohej me shkarkim, Gledis Nano, ka zhvilluar një takim me ministrin Bledi Çuçin, duke e vënë në dijeni mbi përmbajtjen e dëshmisë së oficerit të arrestuar Jeton Lamit dhe emrave të zyrtarëve të lartë të policisë që ai i ka treguar.

(Kosova Sot Online )