Edhe Pahor e ka në agjendë Asociacionin – sot pasdite pritet nga Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta pres sot presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.
Takimi do të nis nga ora 16:25, në objektin e Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Po ashtu i pari i Sllovenisë do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani, duke filluar nga ora 15:00.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, po zhvillon një turne të vizitave nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Turneu i Pahor vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, më 12 shtator, që do të mbahet në Brdo pranë Kranjës.
Para pak ditësh, Pahor qëndroi në Beograd, nga ku, ndërsa foli për dialogun Kosovë-Serbi, kërkoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.
“Sa herë i kam vizituar miqtë e mi në Prishtinë, u kam thënë se duhet të formohet Asociacioni i komunave serbe nëse duam që një proces të jetë i besueshëm”, ka thënë pahor në kryeqytetin serb.
Pahor kishte thënë se gjatë vizitës në Kosovë do të dërgojë disa mesazhe të rëndësishme.
“Në Prishtinë, së pari, do të them se çështjet e mbetura aktuale, në shtator dhe tetor, duhet të zgjidhen me dialog, dhe së dyti, dialogu duhet të jetë më ‘i gjallë’, mendoj se ka shumë mosbesim”, u shpreh ai.
(Kosova Sot Online)