Ndalohet një rast i kontrabandës në Viti, gjenden Iphone 13 dhe gjësende të ndryshme

  • E.k /
  • 21 September 2022 - 15:39
Ndalohet një rast i kontrabandës në Viti, gjenden Iphone 13 dhe gjësende të ndryshme

Në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka pranuar një informatë se nga fshati Debelldeh i Vitisë, lëvizin disa automjete që dyshohet se janë të ngarkuara me mallra të kontrabanduara. Në vazhdimësi të trajtimit të kësaj informate, në fshatin Kabash në hyrje të shtëpisë së të dyshuarit është arritur të ndalohet automjeti pa tabela i ngarkuar me mall të kontrabanduar të cilin e ngiste i dyshuari  I.S., (35 vjeçar, mashkull kosovar).

Policia njofton se gjatë kontrollit, në automjet kishte të ngarkuar, “tekstil, klima, pjesë të automjeteve, pjesë të ndryshme dekorative për automjete dhe shtëpi, medikamente natyrale, lëndë e parë për shisha, fletore dhe libra të ndryshme, telefona Iphone 13 etj., të cilat ishin të kontrabanduar nga Republika e Maqedonisë Veriore”.

“Pas njoftimit të prokurorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës dhe ATK-në është bërë kontrolli në një lokacion ku janë konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e tekstilit,  produkte të ndryshme higjienike dhe një sasi e konsiderueshme e mishit të terur”, njofton tutje policia.

Me aktvendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor.

(Kosova Sot Online)