Lexoni edhe:
Masat qytetare në Kosovë nuk duan ideologji, duan mënyra e forma për përmirësimin e jetës
Lufta e Ukrainës ka hyrë në një spirale shumë të rrezikshme, me presidentin rus Putin që kërcënon me armë nukleare dhe me ukrainasit që s’ndalen së avancuari duke çliruar tokën e tyre.
Lufta e fundit në Kosovë, evokon kujtime edhe për gjeneralin Wesley Clarke – dhe pikërisht ky i fundit dha disa fjalë mjaft syçelëse e zemërdhënëse por edhe që mposhtin frikën mbi rrethanën e re që kanos njerëzimin.
Gjenerali Clarke është një ndër protagonistët e lirisë së Kosovës. Fjalët e tij, sa herë që flitet për Iuftën – dhe jo vetëm në Kosovë – kanë peshë të madhe.
71 vjeçari ishte i ftuar te gazetari i famshëm i CNN, Fareed Zakaria për të folur mbi zhvillimet e fundit dramatike nga Iufta në Ukrainë dhe ajo që u tha – sidomos për armët nukleare të Putinit – ishte mjaft zemërdhënëse.
Por, çka po mësynte Ukraina të bënte së fundi?
“Kur jeni në një ofensivë të tillë duhet ta bëni me ritëm, s’duhet t’i parakaloni vijat e juaja të komunikimit. Trupat duhet të pushojnë. Municionet të rimbushen. Armët të pastrohen. Pajisjet të ndreqen. S’doni të shtyni përpara, të bini në pritë, të humbni forcën…” – u shpreh fillimisht ai.
I pyetur se çka mendonte kur shihte forcat ruse, Clarke kishte disa komente mjaft të mprehta që potencialisht mund të rezonojnë edhe te ish luftëtarët e UÇK-së.
“Kam shkuar në Rusi shumë herë. Kam qenë komandant i NATO-s. Në fakt i kam parë forcat ruse, kam folur me gjeneralët, i kam shikuar metodat e tyre të trajnimit… Ata s’kanë përparuar në të vërtetë prej Luftës së Parë Botërore. Ideja e tyre është “jepjuni fshatarëve një pushkë dhe thuajuni të sulmojnë dhe ju duhet një gjeneral i sertë që sillet keq me ta nëse nuk kryejnë detyrën. Kjo është krejt e kundërta e asaj se si ne besojmë që fitohen luftërat. Ne themi që është ushtari individual, është karakteri, përkushtimi, trajnimi i tij, arma e tij, aftësia që ka për t’u mbrojtur (që fiton luftëra). Gjeneralët, komandantët mund të humbin betejën, mund t’i vënë kushtet për sukses, por s’mund ta fitojnë. Lufta fitohet në nivel ushtarësh. Ukrainasit e kuptojnë këtë gjë. Rusët, qartazi, jo.”
Pashmangshëm, Clarke u pyet edhe për kërcënimet nukleare të Putinit dhe ku shtrihen mendimet më të mprehta të tij.
“Rusët kanë kaluar 60 vjet duke provuar të fusin frikë nga armët nukleare në Perëndim. Dhe e bënë sërish në gusht kur Putin tha që “askush s’mund ta fitojë një luftë nukleare.” Në rregull, atëherë pse po kërcënon ai atëherë me armë nukleare? Kjo është bazikisht një përpjekje psikologjike kundër ShBA-ve dhe njerëz si Donald Trumpi (ish president amerikan) duan të cenojnë rezistencën në Perëndim. Armët (nukleare) janë përdorur (në të kaluarën). Ato mund të përdoren ndaj shënjestrave të caktuara. Ju mund të shënjestroni Kharkivin dhe të bëni dëm të tmerrshëm ndaj Kharkivit por kur provoni të gjuani forca lëvizëse – e kemi provuar shpesh (në stërvitje) por kurrë s’kemi pasur rezultate të mira… sepse ka shumë pjesë lëvizëse. Është shumë e vështirë… Duhet të jeni të kujdesshëm, nëse e përdorni ky do të jep një hap shumë i keq (ushtarakisht) por në anën tjetër ne (në Perëndim) nuk duam të frikësohemi aq shumë sa të mos mbështesim ukrainasit sepse e vetmja rrugë jashtë kësaj (situate) është t’i japim Ukrainës mbështetjen që i vyen. Duhet t’ia bëmë situatën Putinit asisoji, sa as armët nukleare të mos i ndihmojnë.”
(Kosova Sot Online)