Lexoni edhe:
Murati: Borxhi publik ishte i lartë, kemi filluar të stabilizohemi
Në fillim kategorikisht i mohuar, ekzistenca e planit franko-gjerman ka nisur të pranohet zbehtë, vetëm së fundmi. Kryediplomatja Gërvalla thotë se ka një propozim të të tillë. Kryeministri Kurti, që njëherë e mohonte, dje foli për “gjendjen agregate” të propozimeve, që vijnë nga kryeqendrat evropiane.
Pas një vizite të këshilltarëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe Presidentit francez, Emmanuel Macron, në Prishtinë dhe në Beograd, u përhap fjala se ata kishin lënë një “propozim”, të hartuar nga Franca e Gjermania, për Kosovën dhe Serbinë.
Murati: Borxhi publik ishte i lartë, kemi filluar të stabilizohemiLexoni edhe:
Kryeministri Albin Kurti fillimisht e mohoi ekzistencën e një “kornize të re”, duke thënë se ato dalin në publik për të matur pulsin.
“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është as e dobishme as e drejtë, që unë t’i komentojë ato; dokumente të cilat nuk kanë autorë, por bëhen për të matur pulsin e politikanëve dhe të qytetarëve”, iu përgjigj Kurti një gazetari, disa ditë pasi “non paper” kishte rrjedhur në publik.
E ashtuquajtura “kornizë e re” është publikuar kah mesi i shtatorit në mediumin “Albanian Post”. Në atë raportim thuhej se dokumenti është hartuar nga gjermanët dhe francezët, dhe parasheh marrëveshjen normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë vitin e ardhshëm, ndërsa njohjen e ndërsjellë e parasheh pas 10 vjetëve.
Pak javë më vonë, pas një deklarate të zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, ekzistenca e një lloj propozimi nga gjermanët dhe francezët më s’po mohohej nga autoritetet në Kosovë.
Gërvalla gjatë fundjavës tha se “ është e vërtetë që ekziston një propozim prej këshilltarëve të Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz”.
I pyetur për planin franko-gjerman, kyeministri Kurti dje nuk e mohoi ekzistencën e ideve që vijnë nga kryeqytetet evropiane, por asgjë, sipas tij, nuk është përfundimtare. Me fjalët e Kurtit, “është në gjendje të lëngshme, por jo të ngurtë” dhe kësisoj s’duhet publikuar.
“Me të gjitha idetë që ne testohemi, nga zyrtarë e diplomatë nga më të ndryshmit, nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra, duhet që diçka të ngurtësohet, që të publikohet. Përderisa është në gjendje të lëngshme, nuk është korrekte nga unë që ta publikoj“, tha Kurti.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se delegacioni franko-gjerman i ka sjell diçka që ka të bëjë me marrëveshjen Kosovë – Serbi. Por, deklaratat se i kishte ardhur një “kornizë e re” dhe raportimet për përmbajtjen e saj, ndesheshin me mohime.
Zyrtarisht, nga Qeveria gjermane i patën thënë Express se nuk është e vërtetë që Franca dhe Gjermania i kanë bërë propozim konkret se si të dukej marrëveshja mes tyre.
“Ne kemi vërejtur raportimet në mediat shqipe rreth të të ashtuquajturës rrjedhje të një dokumenti katër faqesh që supozohet se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Përfaqësuesi Special Lajcak tek kryeministri Kurti dhe presidenti Vucic. Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruajnë raportimet nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Përfaqësuesi Special. Ne s’kemi informacione kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë gjermane për Gazetën Express.
Se ishte pjesë e propozimit, u përmend edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak. Edhe në BE është mohuar se kanë parë ose ka dalë nga ta një kornizë e atillë.
“Kurrë s’e kemi parë një dokument të tillë më herët dhe nuk ka rrjedhur nga ekipi i BE-së për dialogun”, ka thënë ai për Prishtina Insight.
Pas mohimeve që i bëheshin, publicisti Agon Maliqi shkruante se, tradicionalisht, ndërkombëtaret nuk pranojnë autorësinë e “non papers” që rrjedhin dhe kjo, sipas tij, bëhet qëllimshëm.
“Këto ‘non-paperat’ e diplomatëve sipas rregullit rrallë pohohen si të vërteta prej autorëve. Asnjëherë nuk janë dokumente zyrtare. Synojnë të masin pulsin dhe shpërndahen kësisoj edhe për shkak se mund të mohohen”, kishte shkruar Maliqi.
Rrjedhjen e dokumenteve që nuk u pranohet autorësia, Maliqi e ka krahasuar me një rast në vitin 1998, kur thotë se ish-zyrtari i lartë i LDK-së, Fehmi Agani nxori përmes mediave një propozim të diplomatit amerikan, Chris Hill, për Kosovën.
“I famshëm në historinë tonë mbetet propozimi i Chris Hill në vitin 1998 drejtuar Rugovës, i cili Kosovës efektivisht i jepte autonomi kulturore brenda Serbisë, e të cilin i ndjeri Fehmi Agani ia pat “rrjedhur” Kohës Ditore me synimin për ta shpartalluar si ide”, shkroi publicisti kosovar.
(Kosova Sot Online)