Kosovës për herë të parë i jepet fjala në Asamble të Këshillit të Evropës, deputetja thërret: Slava Ukraini!

  • E. /
  • 11 October 2022 - 13:06
Kosovës për herë të parë i jepet fjala në Asamble të Këshillit të Evropës, deputetja thërret: Slava Ukraini!

Në Strasburg është duke vazhduar mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Atje po marrin pjesë edhe deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këtë mbledhje ka ndodhur për herë të parë që t’i jepet fjala një përfaqësuesi të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Deputetja Saranda Bogujevci e ka marrë fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës  nga Presidentja e Asamblesë, holandezja Ria OOMEN-RUIJTEN.

“Tani, përpara se t’ia japë fjalën znj. Saranda Bogujevci, dua t’ua rikujtoj kolegëve, që nga dje, ne kemi vendosur t’i japim të drejtë Kosovës të flasë në debate. Dhe tani, në këtë debat për Ballkanin Perëndimor, është hera e parë që një deputet i Kuvendi të Kosovës ka drejtë të flasë. Kështu që jeni e mirëseardhur”, ka thënë Rujiten.

Bogujevci ka falendëruar për mundësinë e dhënë që edhe Kosova të ketë të drejtë të pjesëmarrjes në mbledhjet e Asamblesë, deria ka thënë se shpreson që Kosova do të ketë të drejta të plota të pjesëmarrjes.

Deputetja kosovare ka falendëruar edhe gjitha shtetet për përkrahjen e Kosovës.

“Më lejoni që të fillojë duke iu falënderuar për mundësinë e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme që shumë nga ju ia keni dhënë Kosovës për gjithë këto vite për të arritur deri këtu, dhe sigurisht për vendimin e marrë që neve të na lejohet angazhimi aktiv në këto diskutime të mbledhjes, me shpresën që ne do të kemi të drejtat e plota të pjesëmarrjes.Gjithashtu do të doja të falënderoja Presidenten dhe Sekretarin Gjeneral për udhëzimet dhe sigurisht shumë kolegë këtu për mbështetjen.Gjithashtu, shumë falënderime për z.George Papandreou për raportin e tij të jashtëzakonshëm”, ka thënë Bogujevci.

“Ka kaq shumë për të thënë. Sot mund të flisja për shumë gjëra. Arritjet e Kosovës, si një nga demokracitë më të gjalla në rajon. Nëse nuk më besoni, gjithmonë mund të vini dhe të vizitoni dhe të shihni vetë. Vështirësitë tona me të cilat po përballemi, vështirësitë me fqinjin, apo e shkuara jo aq e largët që kemi pasur. Por, sot përballemi me shqetësime shumë më të gjera se rajoni ynë. Sot jemi përballur me një luftë brutale. Sot po luftojmë për demokraci e kështu me radhë. Sot nuk po flasim vetëm për Ballkanin Perëndimor. Por sot po flasim për të ardhmen e Evropës”, ka shtuar tutje.

“Ne si Kosovë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor jemi Evropë. Nuk mund të ketë të ardhme tjetër për ne përveç të qenit pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Në këtë linjë pune që bëjmë të gjithë ne, në çdo vendim që marrim, mendoj gjithmonë se si këto vendime do të ndikojnë në të ardhmen e brezave tanë, të fëmijëve tanë. Pra, tani, më shumë se kurrë, duhet të jemi të vendosur dhe të guximshëm dhe të marrim vendime që do të kenë një ndikim pozitiv në të ardhmen e rajonit tonë, por edhe të gjithë Evropës”, ka potencuar deputetja Bogujevci.

Deputetja Bogujevci fjalimin e saj e ka përmbyllur me fjalët “Slava Ukraini”, duke treguar përkrahjen e Kosovës për Ukrainën.

 “Tani, duke qenë se kjo është hera ime e parë që i drejtohem seancës plenare, do të doja t’u them kolegëve të mi ukrainas dhe gjithashtu popullit të Ukrainës se mendimet, zemrat tona dhe lutjet tona janë me ju. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Ne do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë dhe në këtë luftë. Shpresojmë që së shpejti kjo luftë e tmerrshme të marrë fund dhe drejtësia të triumfojë.Slava Ukraina.Faleminderit”, ka thënë në fund Bogujevci

(Kosova Sot Online)