Lexoni edhe:
Gruaja e Agonis Tetajt kërkon dënim adekuat për Shaban Gogaj: Për ne ditët janë të gjata e vitet e dhimbjes po rriten
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë me plotë bindje se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.Mustafa thotë se çështja e liberalizimit të vizave do të përmbyllej në vitin 2016, nëse ratifikohej marrëveshja e kufirit me Malin e Zi. Në një intervistë për Ekonomia Online, ish-kryetari i LDK-së, thotë se në atë kohë ka munguar vullneti politik për ta fituar liberalizimin e vizave. Sipas Mustafës, kriteret e reja të vendosura nga Franca kanë qenë të pritshme, për faktin se ka humbur momentumi, teksa shton se liberalizimi i vizave do të ndërlidhet me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. “Në fakt as Demarkacioni nuk ka qenë kusht që e kanë pasur vendet tjera, mirëpo është shfrytëzuar rasti meqenëse është parë interesi i përgjithshëm jo vetëm i Kosovës por edhe i stabilitetit në rajon, që Mali i Zi të bëhet anëtare e NATO-s dhe nuk ishte preferencë që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s nëse nuk i ka rregulluar të gjitha çështjet kufitare me fqinjët, prandaj ka qenë ajo kërkesë që ta bëjmë ratifikimin e marrëveshjes dhe ta marrim liberalizimin”, ka thënë Mustafa.
“Kemi mundur ta marrim në vitin 2016, nuk ka pasur vullnet politik nga opozita i cili po shihet edhe tani, dhe jemi dëmtuar atëherë. Tani ka qenë e pritshme që nëse futemi në këtë fazë do të kemi probleme. Disa vende për arsye se na është tërhequr vërejtja edhe atëherë se disa vende kanë probleme të brendshme me të djathtën ekstreme ose të majtën ekstreme për ta përkrahur liberalizimin për Kosovën siç ka qenë Franca, sepse është frikësuar nga e djathta ekstreme dhe disa vende tjera të Bashkimit Evropian”, ka thënë tutje Mustafa.
“Tani kemi ardhë në atë situatë në të cilën na u është tërhequr vërejtja edhe atëherë dhe jemi paralajmëruar se nëse nuk e bëjmë punën në vitin 2016 dhe futemi në zonën e zgjedhjeve për Parlamentit Evropian dhe të zgjedhjeve të disa shteteve tjera, do të kemi probleme. Tani kjo çështje është hapur, ka qenë e pritshme të hapet sepse jemi në fazën e dialogut dhe tani po shfrytëzohet dialogu për të kushtëzuar sipas meje liberalizimin e vizave me kushtet e reja. Është jokorrekte sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha marrëveshjet me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, dhe unë pres që në këtë formë do të kushtëzohemi edhe më tutje përderisa nuk bëhet një marrëveshje”, u shpreh Mustafa për EO
Mustafa e ka komentuar edhe kornizën e propozuar nga Franca dhe Gjermania për marrëveshjen finale me Serbinë, të cilën e quan gjysmake.
Ai thotë se një kushtëzim i tillë nuk ka qenë e pritur për Kosovën.
“Në fakt tani mund të bëhet një gjysmë marrëveshje sepse siç po duket nga disa informata të cilat kanë dalë në opinion dhe korniza të cilën e ka ofruar Franca dhe Gjermania, nuk e përmbyll tërësisht çështjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por mund ta përfundojë një pjesë tani e një pjesë më vonë, që do të thotë se qoftëse pastaj bëhet liberalizimi i vizave me një marrëveshje të tillë, atëherë marrëveshja nuk do të jetë ajo që ka qenë e pritur për Kosovën”, thotë Mustafa.
Ish-kryeministri i ka komentuar edhe veprimet e opozitës së atëhershme në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga vetë Mustafa. Ai thotë se pasojat janë të shumta, duke përmendur edhe shpenzimet e qytetarëve për t’i pajisur me vizë.
Mustafa ka thënë se edhe vetë qytetarët duhet t’i bartin pasojat, pasi sipas tij me votën e tyre i kanë sjellë në pushtet kundërshtuesit e liberalizimit të vizave.
“Pasojat janë të qarta, pasojat financiare është që siç u tha nga ish-kryeministri Hoti se qytetarët kanë paguar rreth 90 milionë euro për procedurat për viza. Ata që i kanë paguar, të gjithë nuk kanë marrë viza, shumica prej tyre i kanë quar paratë kotë, dhe do të paguajmë ende deri sa t’i plotësojmë kriteret e reja të cilat Franca i vënë para nesh, pra qytetarët e kanë paguar sjelljen e tillë të opozitës, mirëpo vetë qytetarët e kanë paguar edhe sjelljen e vet, sepse qytetarët ua kanë dhënë votën atyre që atëherë e kanë penguar liberalizimin e vizave, atyre që kanë sjellë gaz lotsjellës, bomba molotovi etj, pra qytetarët janë solidarizuar me veprimet e tilla me vetë faktin se i kanë votuar. Prandaj edhe ne si qytetarë duhet t’i bartim pasojat e ndërgjegjes sonë dhe të sjelljes tonë. Është keq, edhe për mua nuk është e kënaqshme që po e them këtë, mirëpo vërtetë kemi ardhë në një situatë që ne tani po i paguajmë dëmin që iu është shkaktuar vendit më përpara”, u shpreh ai.
(KOsova Sot Online )