Rasti i rrëmbimit të biznesmenit Bedri Rexhepi, prokuroria thërret konferencë për media

  • E.k /
  • 18 October 2022 - 08:50
Rasti i rrëmbimit të biznesmenit Bedri Rexhepi, prokuroria thërret konferencë për media

Biznesmeni Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur nga muaji prill i vitit 2021, ndërsa sot prokuroria ka thirrë konferencë për media lidhur me këtë rast.

Siç njofton prokuroria, në konferencë do të paraqitet prokurori i rastit.

Teksa konferenca do të mbahet në orën 10:30.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me rastin e Rrëmbimit të B.R., të njohur në opinionin publik.

Në këtë konferencë do të prezantojë prokurori i rastit.

Konferenca do të mbahet nga ora 10:30, në objektin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së”.

Armend Hamiti, prokurori që është duke e trajtuar rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi ditë më parë deklaroi për Gazetën Express se është në pritje të rezultateve të autopsisë së mbetjeve mortore që u gjetën në një lokacion në Novobërdë. Duke mos u lëshuar në detaje, prokurori Armend Hamiti tha se ky rast është në fazën përfundimtare të hetimeve dhe së shpejti pritet të ketë risi, për çka prokuroria do ta informojë publikun me kohë.

Prokuroria e Prishtinës njoftoi ditë më parë për identifikimin e një zone kodrinore-malore në Novobërdë ky dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.

Prokuroria njoftoi se janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të biznesmenit.

“Prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit”, thuhet në njoftim.

Për rastin e zhdukjes së viktimës janë arrestuar disa persona të dyshuar, disa ndodhen në paraburgim. 

(Kosova Sot Online)