Smogu “zhduk” gjithçka, qyteti me ajrin më të ndotur në botë

  • E.k /
  • 21 October 2022 - 14:19
Smogu “zhduk” gjithçka, qyteti me ajrin më të ndotur në botë

Siatëlli (Seattle) është klasifikuar si qyteti me ajrin më të ndotur në botë për të mërkurën dhe të enjten, duke ia kaluar edhe qyteteve si Pekini dhe Delhi, që zakonisht kryesojnë renditjen botërore sa i përket cilësisë së ajrit.

Qyteti amerikan u ngjit në majën e kësaj renditjeje negative, për shkak të zjarreve që kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke pranë maleve Cascade që ndodhen aty pranë, si dhe motit tepër të nxehtë e të pazakontë për ditët e tetorit.

Smogu mbuloi pjesën më të madhe të rrugëve dhe “zhduku” godinat më të famshme të qytetit nga horizonti. Të mërkurën, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) arriti në 240, një nivel i konsideruar “tepër i pashëndetshëm”. Për krahasim, në Pekin ishte 167.

Që prej qershorit, jo vetëm Siatëlli, por i gjithë shteti i Uashingtonit është përballur me një thatësirë të paprecedentë dhe gjithashtu me temperatura të larta, të pazakonta. Të dielën e kaluar, temperatura arriti në 31 gradë celsius, më e larta në historinë e qytetit për stinën e vjeshtës. Lajmi i mirë për vendasit është se në fundjavë është parashikuar të bjerë shi./A2CNN

(Kosova Sot Online)