Lexoni edhe:
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë-BE-së: Ia keni premtuar vizat Kosovës, duhet të ndodh tani
Ofensiva diplomatike e shteteve më të fuqishme perëndimore në krye me SHBA’në dhe BE’në, si ndërmjetëse formale për arritjen e një marrëveshje të re Kosovë -Serbi, si duket e ka gjetur jo edhe aq të përgatitur Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Nëse nuk është duke taktizuar me mesazhe, Vuçiq, që tash e disa javë është duke folur për presion të madh ndaj Serbisë, ka thënë se mund të dorëhiqet. Madje, e thotë haptas, se do të largohej për 6-9 muaj për të blerë kohë.
Fillimisht, Vuçiq mesazhin e tij për dorëheqje e çoi nëpërmjet Kryeredaktorit të gazetës “Informer”, të cilën e kontrollon vet.
Dragan J. Vuçiqeviq, që drejton tabloidin pro pushtetit në Serbi, ka deklaruar se sipas informacioneve që ka nga bashkëpunëtorët e Presidentit të Serbisë dhe Partisë Përparimtare Serbe, ai planifikon të japë dorëheqje për t’ia lënë “dikujt tjetër” t’i vendos sanksione Rusisë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë ai e ka lidhur me presionin e madh diplomatik që sipas tij, Serbia nuk do të mund t’i përballonte këto dy lëvizje.
Deklaratave që u bëri jehonë gazetari i afërt me të, i tha me gojën e vet Vuçiq mbrëmë, një ditë pas takimit që pati me emisarin amerikan Gabriel Escobar. I dërguari amerikan shkoi nga Kosova në Serbi, pasi i bëri publike më të rejat rreth dialogut. Ai e tha haptas se është duke u kërkuar një marrëveshje Kosovë -Serbi, ndërsa u bëri thirrje palëve që ta trajtojnë seriozisht atë që ka ofruar Franca dhe Gjermania. Po ashtu paralajmëroi se marrëveshja e re do të shkruhet nga Brukseli, gjë që s’ka qenë rasti në të kaluarën. Sipas diplomatit amerikan, njohja e Kosovës nga Serbia do të trajtohej më vonë.
Vuçiq theksoi se është duke menduar dorëheqjen nga posti i presidentit, si një opsion për të blerë kohë për Serbinë.
“Njeriu që është në arenën politike e mendon çdo ditë këtë gjë” tha ai. “Në këtë moment përkrahja ndaj meje është në maksimumin historik. Do të ishte lehtë për mua që të tërhiqem tash…”. “Unë nuk i ik përgjegjësisë. Këtë e mendoj si mundësi për të blerë kohë për vendin. Gjithnjë qasem që të gjejë zgjidhje, por nuk po e shoh. Jam i gatshëm për të biseduar, por nuk po e di për çka. Nuk na e kanë dhënë rastin. Shpresoj se nesër (të premten), do të marrë dicka ndryshe” ka thënë Vuçiq.
Të premten, kreu i shtetit serb takoi ambasadorët e QUINT’it. Në Beograd nuk u bë diçka më shumë publike se çfarë bëri te Vuçiq pesëshja e ambasadorëve, por presidenti serb la të kuptohet se prej tyre është duke e pritur një propozim të ri.
Por çfarë dorëheqje paralajmëroi ai?
“Nuk them se dorëheqja do të ndodhë, por mund të jetë opsion në taktikë. Vetëm për t’i blerë 6-9 muaj për vendin tim, për interes të vendit tim. Nëse dikush iu shtyn ka hapa të panumërt taktik. Nëse kjo do të ishte në interes të Serbisë nuk do të kisha problem ta bëja” theksoi ai.
Në Kosovë ndërkaq, dy ditët e fundit, Emisari i SHBA’së i kërkoi Kurtit që të zgjas afatin për targat dhe që Kosova të implementojë marrëveshjen për Asociacionin. Ndaj të dyja këtyre kërkesave nuk pati reagim pozitiv.
Perëndimi( SHBA, BE dhe dy vendet e Unionit Franca e Gjermania), janë duk zhvilluar aktivitet të dendur diplomatik për të gjetur një zgjidhje Kosovë -Serbi. Arsye për këtë dinamikë të dialogut u bë lufta në Ukrainë.
Por, bashkësia ndërkombëtare e cila po përpiqet ta bindë Vuçiqin t’i vëjë sanksione Rusisë, nuk po mundet që Serbinë, edhe në këtë situatë kur ajo është e rreshtuar me Moskën, ta detyrojë ta njohë Kosovën. Prandaj Uashingtoni, Berlini e Parisi janë vënë pas një marrëveshjeje që nuk do të ishte përfundimtare. Sipas asaj që është publikuar deri më tash, dy palët kanë afat të bëjnë marrëveshje dri më 24 shkurt, kur është edhe përvjetori i parë i luftës në Ukrainë. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë Perëndimi mund të aktivizojë opsionin e një konference ku marrëveshja do të imponohej.
(Kosova Sot Online)