Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm në qeverinë e re të Serbisë

  • E.k /
  • 24 October 2022 - 09:23
Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm në qeverinë e re të Serbisë

Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë kanë bërë publikë emrat e ministrave të Qeverisë së re të Serbisë, që do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiç.

Lideri i socialistëve, Ivica Daçiç, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme, kryetar i Byrosë së Koordinimit të Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministër i parë. Ai rikthehet pas dy vjetësh në krye të diplomacisë serbe.

Qeveria e re serbe po ashtu do të ketë edhe ministra pa portofol, por edhe dy ministra nga radhët e minoriteteve. Ajo do të ketë 25 ministri, apo katër më shumë sesa ekzekutivi paraprak.

Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 3 prill. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 korrik për shkak se në disa qendra të votimit në jug të Serbisë u përsëritën zgjedhjet.

(Kosova Sot Online)