Lexoni edhe:
Për marrëveshje me Serbinë. nuk guxon të ketë ndarje dhe përçarje të inatit politik
Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron tensionim të situatës pas datës 31 tetor kur skadon afati i përdorimit të targave serbe. Por nga qeveria e Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar qartë, nëse do të shtyhet afati.
Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri më 31 tetor kur skadon afati që targat me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës do të mund të përdoren në Kosovë. Qytetarët serbë të Kosovës që përdorin këto targa, duhet t’i konvertojnë ato në targa të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, makinat e tyre nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, qytetarët serbë të veriut të Kosovës po refuzojnë ti’ konvertojnë targat. Janë rreth 10 mijë targa në qarkullim në veri të Kosovës, që qeveria e Kosovës i cilëson ilegale. Për të mos u tensionuar situata pas datës 31 tetor, diplomat ndërkombëtarë të përfshirë drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, i kërkuan qeverisë së Kosovës që ta shtyjë këtë afat.
Për marrëveshje me Serbinë. nuk guxon të ketë ndarje dhe përçarje të inatit politikLexoni edhe:
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën që shkoi ishte në Beograd dhe Prishtinë tha se “është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Kosovës”. “Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar gjatë qëndrimit në Beograd. Sipas tij, nëse Kosova pranon të shtyjë afatin, atëherë, gjatë këtyre dhjetë muajve “do t’iu kërkohet të bëjnë një fushatë informuese, të kryejnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken prej saj dhe të kenë më shumë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.
Edhe BE mbështet shtyrjen e afatit
Edhe Bashkimi Evropian, i kërkoi Kosovës që të shtyjë afatin për 10 muaj të konvertimit të targave serbe dhe regjistrimit të tyre në ato të Kosovës. “Konkluzionet për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për ri-regjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tani kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petter Stano.
Qeveria e Kosovës akoma nuk ka konfirmuar qartë, nëse do ta shtyjë këtë afat, ndonëse në këtë fazë para datës 31 tetor, ata vazhdojnë të mbajnë qëndrimin për respektim të afatit. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “qeveria i kupton shqetësimet dhe brengat e të ngarkuarit amerikan Gabriel Escobar dhe i ndajnë po ato shqetësime me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik i përbashkët”. “Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor akoma. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, tha zëdhënësi i qeverisë.
Për çështjen e targave dhe kërkesën e emisarit të SHBA-ve që vendimi për konvertimin e tyre të shtyhet edhe për 10 muaj, foli edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Sipas saj, “çështja e targave është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit”. “Partnerët tanë ndërkombëtar nëse për vite kanë kërkuar që Kosova të punoj në sundimin e ligjit, ne këtë po e bëjmë. Andaj pres nga partnerët tanë që të na mbështesin në sundim të ligjit në trajtimin e të gjithëve në mënyrë të barabartë”, u shpreh Osmani. Sipas saj, shumica e qytetarëve serb të Kosovës i kanë konvertuar targat dhe të vetmit që po rezistojnë janë ata të veriut. “Mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë i kanë konvertuar targat e paligjshme në targat e Kosovës. Sa i përket një pakice që ende nuk i ka konvertuar targat dhe i shfrytëzojnë tagrat e kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Është e pamoralshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm në Kosovë, duhet tu jepet fund bandave kriminale që kërcënojnë qytetarët tanë serb”, u shpreh Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, “veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend e ligj e asnjëherë për tensionim”.
“Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale që mbështeten e financohen nga Vuçiqi. Fokusi duhet të jetë aty te burimi i tensioneve e shantazheve, ai burim nuk ka qenë e as nuk është në Kosovë, ai burim ka qenë edhe është sot vetëm në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni e jo në Kosovë”, tha Osmani.
Ambasadorët e vendeve të Quint-it ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Italia, Franca dhe Gjermania, dy ditë më parë takuan në Beograd, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit i shprehën shqetësimin për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, para përfundimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrim të makinave me targa serbe në ato të Republika e Kosovës. Sipas një komunikate të Presidencës serbe, “edhe vetë presidenti, Aleksandër Vuçiq ndan shqetësimet për tensionet e mundshme dhe ka thënë se Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura”. Megjithatë, Aleksandër Vuçiq ka konsideruar siç thuhet në komunikatë se “tensionet janë shkaktuar për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”. Sidoqoftë, javët e fundit ka një angazhim të shtuar të komunitetit ndërkombëtar me vizita të shpeshta në Prishtinë dhe Beograd, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje finale për përmirësimin e marrëdhënieve dhe kjo marrëveshje të arrihet shpejt.
(Kosova Sot Online)