Haxhiu e Musliu përplasen për raportin e WJP-së, Konjufca iu ndërhyn me humor: Pse s’po i ndani kahpak meritat?

  • 27 October 2022 - 12:15
Haxhiu e Musliu përplasen për raportin e WJP-së, Konjufca iu ndërhyn me humor: Pse s’po i ndani kahpak meritat?

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka ndërhyrë duke e bërë më qesharake një përplasje mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Haxhiu dhe Musliu po debatonin për një raport të “World Justice Project” për sundimin e ligjit 2022, i cili e nxori Kosovën tre vende më lart në fushën e sundimit të ligjit. Ministrja u mburr me këtë, ndërsa deputetja tha se për këtë meritore është edhe opozita.

“Ata shkrujnë çka dëgjojnë”, tha Musliu, duke pretenduar se “ka ndryshu situata sepse opozita në Kosovë është përmbajtësore”.

Haxhiu i replikoi, duke thënë se “organizatat vendore dhe ndërkombtare nuk i bëjnë raportet me të nime”. Ajo tha se LVV-ja ka përfaqësuar opozitën më të mirë dhe qeverisjen më të mirë ndonjëherë.

“Me bindje të plotë e them, ky Kuvend s’ka pasë asnjëherë opozitë më të fuqishme sesa Lëvizja Vetëvendosje dhe asnjëherë s’ka pasë qeveri më të mirë sesa Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërhyu me shaka.

“Pse s’po i ndani kahpak meritat? Do me i marrë do… Albulenë, e monopolizove krejt. Edhe në opozitë më të mirët, edhe në qeveri më të mirët. Kadale se mundet mësyshi tani… Nuk bën ashtu”, tha Konjufca.

Më pas, Musliu e mori fjalën dhe tha se LVV-ja është e mirë “veç për opozitë”.

“Albulena po thotë që më ka lënë pa tekst, kështu që vazhdojmë”, tha Konjufca pas kësaj.

(Kosova Sot Online )