Si kurrë më parë: Mbi 115 mijë shqiptarë të regjistruar në Luginën e Preshevës

  • E /
  • 01 November 2022 - 07:39
Si kurrë më parë: Mbi 115 mijë shqiptarë të regjistruar në Luginën e Preshevës

Shqiptarët e Luginës së Preshevës i janë përgjigjur në mënyrë masive procesit të regjistrimit. Të dhënat preliminare flasin për një numër prej mbi 115 mijë qytetarë të regjistruar.

Pjesëmarrja në regjistrim ka qenë vendim i të gjitha partive politike, që tubojnë shqiptarët në Luginë. Qytetarët shqiptarë, duke pasur për bazë rezultatet preliminare thonë se Serbia, tashmë, duhet të përballet me realitetin e pamohueshëm dhe t’ i plotësojë të drejtat themelore të njeriut që vetëdijshëm po ua mohon shqiptarëve.

“Po me qenë se tash është një pasqyrë reale e regjistrimit të popullatës, është shans i mirë që të kërkohet që të kthehen që të gjitha institucionet, të cilat janë tërhequr kryesisht nga Presheva, por edhe nga Bujanoci dhe Medvegja. Dhe, përveç kësaj, duhet edhe të shtohen institucionet tjera, konform numrit të popullatës në nivel shtetëror”, theksoi Zejni Fejzullahu.

“Në bazë të rezultateve të para, ky numër i regjistrimit është tejet i kënaqur, krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, kur kishte shkelje flagrante të regjistrimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, deklaroi Hamdi Kamberi.

“Tash janë regjistru edhe ata që janë këtu edhe ata që nuk janë këtu edhe numri është përmi 105 mijë edhe tash Serbia duhet me na dhënë neve të drejtat e tona”, tha Jeton Rashiti.

“Ky numër ka qenë gjithmonë real edh ky popull këtu jeton, por Serbia duhet me na dhënë të drejta më tepër, se numrin nuk është mirë ta zvogëlon, assesi”, deklaroi Isuf Hiseni.

Si rezultat i bojkotit të regjistrimit nga shqiptarët në vitin 2011 Serbia zyrtare nisi fushatën e largimit të institucioneve shtetërore nga niveli lokal sidomos në komunë e Preshevës, largoi gjykatat, zvogëloi numrin e këshilltarëve në Kuvendin e Këshillit Kombëtarë Shqiptarë, si dhe nisi fushatën e shlyerjes së shqiptarëve nga regjistri civil.

Ndërkohë rezultatet aktuale janë argumenti më i mirë i numrit real të shqiptarëve që jetojnë në këtë krahinë thonë qytetarët shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

(Kosova Sot Online)