Lumir Abdixhiku pritet të shkojë në SHBA

  • E.k /
  • 01 November 2022 - 15:36
Lumir Abdixhiku pritet të shkojë në SHBA

Media merr vesh se vizita e Lumir Abdixhikut pritet të bëhet në gjysmë të nëntorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtij muaji.

Ndërkaq, siç i kanë thënë gazetës burime nga LDK-ja, kryetari i partisë “është ftuar” dhe do të bëjë vizitë zyrtare.

Pritet poashtu që ai të realizojë “takime të rëndësishme”, por media nuk ka arritur të marrë detaje se kush do ta presë kreun e LDK-së në SHBA.

Abdixhiku ishte prej të parëve që reagoi ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi nga Departamenti Amerikan i Shtetit u deklaruan “të zhgënjyer” që Kryeministri Albin Kurti nuk i dëgjoi për shtyrjen e afatit të caktuar për heqjen nga përdorimi i targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

“Në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, SHBA-në dhe BE-në. Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë”, ka thënë javën e kaluar Abdixhiku.

Sipas tij, “sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin politik”.

“Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fondamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë Abdixhiku në Dragash. 

(Kosova Sot Online)