Nicholas Abbott e quan legjitime qasjen e Kurtit për targat

  • A.P /
  • 02 November 2022 - 16:17
Nicholas  Abbott e quan legjitime qasjen e Kurtit për targat

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar ndaj djegies së veturës së një qytetari serb në Zubin Potok që kishte targat RKS.

Ai tha se kjo vepër është kriminale dhe s’është e duhura për të treguar pakënaqësinë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të targave, të cilin e quajti legjitim.

“Zjarrvënia ndaj pasurisë së individëve që kanë regjistruar veturat e tyre në targa RKS është vepër kriminale dhe mënyrë e gabuar për të treguar pakënaqësi ndaj politikës legjitime të qeverisë”, ka shkruar Abbott.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të së mërkurës ka pranuar informacione për vënien e zjarrit dhe djegien e një veture me targa RKS në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.

Policia ka thënë se zjarrfikësit kanë dalë në skenën e incidentit dhe se autoritetet janë duke hetuar rastin.

Institucionet e Kosovës kanë fajësuar grupet ilegale për këto incidente.

(Kosova Sot Online)