Lexoni edhe:
Kurti, Bërnabiq dhe katër liderë tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje për lëvizjen e lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në një spital privat –ku hoqi tëmthin (idhëzen) – mirëpo i njëjti intervenim kryhet edhe në QKUK. Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, ka thënë se heqja e tëmthit bëhet prej vitit 1999 në QKUK, derisa ka thënë se janë të zhgënjyer me vendimin e presidentes.
Presidenca mbrëmë ka njoftuar se Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik, heqja e tëmthit, i cili është kryer me sukses. Mirëpo, për këtë intervenim, Osmani zgjodhi një spital privat, anipse ka mundur të kryhet edhe në QKUK.
Në një bisedë me Express, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu bëri të ditur se heqja e tëmthit në QKUK kryhet qysh prej vitit 1999, derisa tregoi dy metodat me të cilat mund të operohet pacienti.
“Heqjen e tëmthit e kena bërë prej 12 dhjetor të vitit 1999. Janë dy metoda për këtë intervenim, e hapur dhe me laparaskopi. Me laparoskopi kemi filluar që nga vitit 1999, ndërsa me metodë të hapur prej që ka filluar teknologjia. Një intervenim i tillë kryhet për 45 minuta”, deklaroi Sallahu.
Drejtori i Klinikës foli edhe rreth asaj që Osmani e ka anashkaluar QKUK-në dhe ka shkuar në spitalin privat “Aloka”.
“Është një zhgënjim për shkak se anashkalimi i institucioneve nga i pari i shtetit është përbuzja më e madhe që i bëhet institucionit”, tha ai.
Sallahu tha se kjo klinikë nuk ka asnjë vështirësi sa i përket këtij intervenimi kirurgjik.
Presidenca ka njoftuar se dje Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive te kryetari i Kuvendit të Kosovës.
“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike”, thuhet në njoftimin e djeshëm.
(Kosova Sot Online)