Lexoni edhe:
Presidentja e Kosovës duhet të guxon dhe vepron: Pas deklarimit refuzues për kryeprokuror Blerim Isufaj të caktohet ushtrues detyre deri në zgjedhjen e rregullt, i dyti në listë Shqipdon Fazliu
Me nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të kartave të identitetit dhe diplomave, vendet e Ballkanit Perëndimor hynë në një fazë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë në Berlin. Por është e diskutueshme nëse kjo do t’i ndihmojë ata të përshpejtojnë udhëtimin e tyre në BE.
Nikoqiri i këtij Samiti, kancelari gjerman Olaf Scholz, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë “pjesë e Evropës” dhe “sigurisht, pjesë e familjes evropiane”. “Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa ju”, tha kancelari gjerman.
Por, i pyetur konkretisht nga një gazetar nëse afati i vitit 2030, që është ndër propozimet e forumit të shoqërisë civile të mbajtur në kuadër të përgatitjeve për samitin e sotëm, është real, Scholz u shpreh i paqartë.
Procesi i Berlinit po ecën përpara
Pavarësisht kësaj, kancelari gjerman dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehën optimizëm për atë që u arrit pas samitit. Siç është paralajmëruar prej ditësh, në samit kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nënshkruan marrëveshje për njohjen reciproke të kartave të identitetit si dhe diplomave universitare dhe profesionale.
Në çdo rast, kjo do t’ua lehtësojë jetën shumë banorëve të rajonit, veçanërisht atyre që kalojnë shpesh kufijtë, por edhe atyre sipërmarrësve që duan të zgjerojnë biznesin e tyre përtej kufijve të vendit të tyre. “Procesi i Berlinit po jep rezultate,” deklaroi me krenari kancelari Scholz pas Samitit. Shumë analistë besojnë se kjo ishte absolutisht e nevojshme pas viteve të stagnimit.
Që lëvizja nga ngërçi është vetëm për shkak të rritjes së aktivitetit të diplomacisë gjermane, është treguar pak a shumë hapur javët e fundit nga të gjithë, duke filluar nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analene Berbok, e duke përfunduar me përfaqësuesin e qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Pa Gjermaninë, do të kishte ende negociata?
Edhe politikanët nga rajoni nuk e fshehin se kënd e konsiderojnë meritor për nxjerrjen e procesit të Berlinit nga ngërçi. “Më duhet të pranoj se nënshkrimi i këtyre tre marrëveshjeve është në thelb një sukses i diplomacisë gjermane, sepse ne kemi negociuar këto tri marrëveshje për më shumë se dy vjet pa konsensus”, tha presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq vlerësoi kancelarin gjerman Olaf Scholz për faktin se arriti ta niste procesin e Berlinit pas kaq shumë vitesh nga ngërçi. Ai përsëriti deklaratën e njohur të disa krerëve të shtetit kroat se “është në interesin e Kroacisë t’u bëjë mirë fqinjëve tanë”.
Marrëveshjet janë një gjë tjetër, zgjidhja e konflikteve tjetër gjë
Manuel Sarrazin vlerëson Prishtinën, ashtu edhe Beogradin për momentin e suksesshëm që solli nënshkrimin e marrëveshjes në procesin ballkanik. “Ajo që dua të theksoj është se këtu nuk do të kishim sukses nëse nuk do të kishte vullnet politik edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Kjo është një lëvizje shumë pozitive dhe mendoj se këtu ka pasur një atmosferë pozitive që ka kontribuar në sukses”, tha Sarrazin për DW në margjinat e konferencës së organizatave të shoqërisë civile që u mbajt para takimit final të liderëve.
Ndërmjetësi gjerman njëkohësisht uli pritjet dhe euforinë e disave që nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e shohin si zgjidhje përfundimtare të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. “Në të njëjtën kohë është e natyrshme që ia dolëm, sepse në atë kontekst nuk u përpoqëm të zgjidhnim disa çështje të hapura dypalëshe, por i lamë anash. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të qartë dhe të themi se nuk do të jemi gjithmonë në gjendje t’i lëmë mënjanë çështjet e hapura dypalëshe, por herët a vonë do të duhet të diskutojmë zgjidhjen e këtyre çështjeve, nëse duam që rruga e rajonit drejt BE-së të jetë e sukseshme”, tha Sarazin.
Një dhuratë nga Brukseli
Në fund të samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i gëzoi të pranishmit me një dhuratë nga Brukseli: një miliard euro për sektorin e energjisë – gjysma për zbutjen e krizës akute dhe gjysma për investime në energjitë e rinovueshme, burimet e energjisë dhe lidhjet me infrastrukturën energjetike evropiane./DW
(Kosova Sot Online)