OAK reagon lidhur me zbritjen e pagave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve
Oda e Avokatëve të Kosovës si organizatë e pavarur profesionale e avokatëve, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke pasur qëllim kryesor avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë, dhe duke mbështetur procesin e reformave ligjore, shprehë shqetësimin e saj, për zbritjen e pagave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Pushteti Ekzekutiv, duhet të mbështes pa kushtimisht sistemin e drejtësisë pa dallim, e veçanërisht të krijoj politika që ky sistem të ketë pavarësi financiare.
Duhet theksuar se zbritja e pagave për Gjyqtarë dhe Prokuror nënkupton kthim prapa, derisa do të shtohet rreziku i rënies së të interesuarve për të punuar në këto pozita, që nënkupton se pasojat e tilla do të bien në kurriz të qytetarit, sepse mund të ketë rënie edhe të efikasitetit dhe vullnetit e përkushtimit në punë.
Është detyrim i Shtetit që të ofroj garanci për krijimin e kushteve ligjore dhe financiare për një sistem të drejtësisë sa më efikas dhe në të mirë të të drejtave të qytetarëve.
Oda e Avokatëve të Kosovës, bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta trajtoj me seriozitet këtë çështje, pasi që paga është e drejtë themelore e secilit individ dhe e cila duhet të jetë e përputhshme me përgjegjësitë e secilit, ashtu që Gjyqtarët dhe Prokurorët meritojnë të kenë paga të dinjitetshme.
(Kosova Sot Online)