Kim Jong: Do të kemi forcën bërthamore më të fuqishme në botë
Koreja e Veriut synon të ketë "forcën strategjike më të fuqishme në botë", tha udhëheqësi i saj Kim Jong-un në një ceremoni që festonte nisjen e një ICBM të re, gjatë së cilës vajza e tij e vogël u shfaq në publik për herë të dytë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kim ka dhënë një seri masive promovimesh për ushtrinë dhe shkencëtarët e përfshirë në zhvillimin e Hwasong-17 të ri, të quajtur nga analistët ushtarakë "raketa monstruoze", e aftë për të arritur në Shtetet e Bashkuara kontinentale. Kjo raketë balistike ndërkontinentale (icbm) u testua më 18 nëntor, duke rënë në ujërat jashtë Japonisë.
Hwasong-17 është "arma strategjike më e fortë në botë" dhe përbën "një hap të mrekullueshëm përpara në zhvillimin e teknologjisë për montimin e kokave bërthamore në raketa balistike", tha lideri me entuziazëm, cituar sot nga agjencia e lajmeve zyrtare e Koresë së Veriut KCNA.
Shkencëtarët, ushtarët dhe drejtuesit e këtij programi kanë kontribuar në “qëllimin e ndërtimit të armës më të fortë në botë”. Udhëheqësi theksoi se qëllimi i zhvillimit të një force bërthamore është "të mbrohet me besueshmëri dinjiteti dhe sovraniteti i shtetit dhe popullit".
Është “kauza revolucionare më e madhe dhe më e rëndësishme dhe qëllimi i saj përfundimtar është të zotërojë forcën më të fortë strategjike në botë, forcën e pashoqe që nuk ka të krahasuar në shekull”, deklaroi Kim.
Gazeta zyrtare Rodong Simun publikoi sot një duzinë fotografish ku shihet lideri i Koresë së Veriut duke pozuar në shoqërinë e qindra civilëve dhe ushtarëve gjatë ceremonisë, i shoqëruar nga "vajza e tij e dashur".
Ekzistenca e kësaj të fundit u zbulua për herë të parë javën e kaluar, kur mediat lokale publikuan foto të saj dhe babait të saj duke parë dorë për dore nisjen e Hwasong-17.
(Kosova Sot Online)