Zbulohen detaje: Si u vra gruaja shtatzënë nga ish-burri i saj në oborrin e QKUK’së

  • A.P /
  • 30 November 2022 - 22:38
Zbulohen detaje: Si u vra gruaja shtatzënë nga ish-burri i saj në oborrin e QKUK’së

Në oborrin e QKUK’së, sonte rreth orës 18:00  një burrë dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hamide Magashi 35-vjeçare u vra para klinikës së Gjinekologjisë me disa plumba.


Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Sipas raportimeve në media, nga të shtënat ka mbetur e vdekur edhe foshnja.


Hamide Magashi ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj.

Kështu e konfirmoi motra e viktimës, e cila tha se H.M dhe burri i saj kanë pas probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.

Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë.

Motra e viktimës tregoi edhe për trajtimin mizor që përjetoi Hamide Magashi sa ishte e martuar me të dyshuarin.

Ajo tha se për 6 muaj, burri i saj nuk e ka lënë Hamide Magashin të dalë prej shtëpisë. Sipas saj, ai ia ka lidhur asaj duart dhe këmbët duke e mbajtur në shtëpi e duke i qëndruar me thikë.

Sipas raportimeve në media, i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit dhe më pas ka ikur.


Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, i dyshuari ka ikur nga QKUK-ja me veturën e tij Opel Astra.

Pas këtij rasti të rëndë që tronditi Kosovën, politikanë e pjesëtarë të shoqërisë civile kanë reaguar duke kërkuar drejtësi dhe dënim maksimal për vrasësin.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka organizuar nesër protestë, duke I ftuar të gjitha qytetarët që t’i bashkohen nesër kësaj proteste që fillon prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti.

(Kosova Sot Online)