Zbulohen detaje të reja të planit 'franko -gjerman'
Bashkimi Europian i ka dorëzuar Kosovës e Serbisë një draft të përditësuar të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, sipas EURACTIV, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Versioni i ri përmban një afat dhe përmbledhje të veprimeve që palët duhet të bëjnë.
Projekt-propozimi i përditësuar është pranuar nga të dyja palët para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Sipas zyrtarëve të BE’së që kanë folur në kushte anonimiteti pritet që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare në më pak se një vit, tha një zyrtar i lartë i BE-së në margjinat e samiti të martën duke folur në kushte anonimiteti.
“Pasi dëgjuam të dyja palët, ne e riformuluam propozimin, ai është rregulluar mirë,” tha zyrtari
Propozimi përmban një aneks “me një kalendar të qartë veprimesh se kur dhe si duhet të ndodhin gjërat”, tha ai.
“Ka shumë gjëra që e bëjnë atë një hap të madh përpara në lidhje me situatën aktuale (…). Nuk është njohje e plotë (…) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve”, shtoi zyrtari.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi është zotuar se nuk do ta njohë kurrë. Pesë vende të BE-së – Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia – si dhe Rusia, kanë refuzuar gjithashtu të njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
I pyetur për afatin kohor për zbatimin e mundshëm të marrëveshjes, zyrtari i BE-së tha se ndërsa kjo do të “varet nga vullneti i palëve”, ai pret rezultate në “më pak se një vit” kohë.
Me të mbërritur në samitin e BE-së në Tiranë, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, u konfirmoi gazetarëve se të dyja palët kishin marrë versionin e përditësuar dhe se ai pret “diskutime serioze”.
Ndërkohë Euractiv ka shkruar edhe për planet e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në BE.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha pas mbërritjes se Prishtina do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, duke u zotuar për angazhimin për bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli me Serbinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura.
“Do të shpall sot këtu para të gjithë liderëve të BE-së: Kosova do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti”, u tha ajo gazetarëve.
“Ne besojmë se dialogu që udhëhiqet nga BE-ja dhe mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që përqendrohet në njohjen reciproke”, shtoi ajo.
(Kosova Sot Online)