EULEX: Në varësi të zhvillimeve, nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në Njësinë Policore
Për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë, incidentet e së martës në veri të vendit kanë shtyrë EULEX-in që të shtojnë patrullat vëzhguese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
EULEX thotë se në rast të rritjes së ndonjë tensioni në terren, mund të shtojnë edhe më shumë prezencën.
“Në varësi të zhvillimeve në terren, nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në Njësinë Policore të Specializuar të EULEX-it. Ne tashmë i kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme patrullat vëzhguese mobile të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, dhe po përpiqemi ta qetësojmë popullatën lokale përmes pranisë sonë të shtuar në pjesën veriore të Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet të jenë të sigurt dhe të ndjehen të sigurt”.
EULEX thotë se që nga data 16 nëntor, përveç patrullave vëzhguese mobile të shtuara dukshëm, zyrtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it janë duke patrulluar në këmbë në të gjitha komunat veriore, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Përveç NJPS-së, Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it në veri janë të bashkëvendosur në Drejtorinë Rajonale Veriu të Policisë së Kosovës dhe ofrojnë këshilla dhe mbështetje për Policinë e Kosovës në nivel të rajonit dhe stacioneve për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore”, thuhet në përgjigje.
Herën e fundit kur pati frikë për eskalim të situatës në veri për çështjen e targave, EULEX ka përforcuar njësitë e saj rezervë me 23 xhandarë nga karabinierët italianë, me qëllim që t’i ofrojë ndihmë autoriteteve në Kosovë, nëse është e nevojshme.
Ky institucion tha se këto përforcime vazhdojnë të jenë në veri edhe për zhvillimet aktuale.
“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS) përbëhet nga 105 policë polakë të stacionuar në Mitrovicë. Në nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë nga 24 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe pesë xhandarë nga Lituania u zbarkua përkohësisht në Kosovë për ta përforcuar kapacitetin e Njësisë Policore të Specializuar ekzistuese të EULEX-it”.
Gjithashtu, EULEX tha se Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) janë duke kryer patrullime vëzhguese mobile 24/7, duke punuar me ndërrime dhe aktualisht janë duke e monitoruar situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, si dhe janë duke i ndjekur zhvillimet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
“NJPS-ja Rezervë do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren për momentin”.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, sot doli me një deklaratë ku tha se janë të shqetësuar se nuk ka kushte për të mbajtur zgjedhjet në veri të vendit.
EULEX thotë se vlerësimi i situatës së sigurisë në lidhje me zgjedhjet lokale është në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës dhe se ato janë duke u vlerësuar nga institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës sot tha se janë në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë për të vendosur për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë.
Ndërsa, nga Presidenca thanë se janë në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin.
(Kosova Sot Online)