Atentati ndaj biznesmenit teksa udhëtonte me mjet të blinduar

  • E.k /
  • 14 December 2022 - 15:54
Atentati ndaj biznesmenit teksa udhëtonte me mjet të blinduar

Rreth 7 vite pas një atentati ndaj një biznesmeni në zonën e Shijakut, një nga autorët e ngjarjes është arrestuar në Spanjë. Policia e Shtetit bëri me dije se ka ekstraduar shtetasin Enkel Kërrtalli.

“Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët spanjollë, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi E. K., 37 vjeç.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit'”, sqaroi Policia.

Ngjarja ndodhi më 23 gusht të vitit 2017 në zonën e Sallmones në Shijak, kur biznesmeni Dashamir Gjoka, u qëllua me breshëri plumbash ndërsa udhëtonte me një mjet të blinduar bashkë me fëmijët. Ai u qëllua disa herë me armë zjarri nga një makinë tjetër që ju doli paralel.

Dy ditë më vonë, u identifikua si autor të ngjarjes, vëllezërit Enkel dhe Morel Kërtalli, të cilët në momentin e ngjarjes ishin në një kafe në zonë dhe sapo kanë parë biznesmenin kanë marrë armët dhe i kanë ndjekur.

“Dy vëllezërit, më datë 23.08.2017, në vendin e quajtur ‘Komuna Xhafzotaj’, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip ‘Benz’ kanë qëlluar me armë zjarri automatik automjetin tip ‘Benz’ të blinduar (po në lëvizje) që drejtohej nga shtetasi D. Gj. 46 vjeç, banues në Shijak. Nuk ka pasur persona të dëmtuar. Gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm”, sqaronte Policia në atë kohë.

HAKMARRJA PËR VËLLAIN

Atentati ndaj tij dyshohet se hakmarrje e dy të rinjve për vëllain e tyre, Elvin Kërtalli, që u ekzekutua mbrëmjen e 26 gushtit të vitit 2013 në qendër të qytetit të Shijakut.

Vëllezërit Kërtalli dyshonin se personi që e vrau vëllain e tyre është mbështetur nga Gjoka, në restorantin e tij. Gjithashtu ditën ku është ekzekutuar Elvin Kërtallit ka mbetur i plagosur dhe miku i tij Dorian Zotaj.

KUSH ËSHTË DASHAMIR GJOKA

Dashamir Gjoka, nga Durrësi, rezulton i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim qeniesh njerëzore. Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se: Me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Trafikimi i personave”.

(Kosova Sot Online)